Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen do të nisë një tur ballkanik të mërkurën ku pritet të vizitojë dhe vendin tonë.
Sipas mediave britanike, Von der Leyen u shpreh se do të nisë këtë tur për t’i njohur vendet e rajonit me masat mbështetëse të BE-së për krizën energjetike. Kryekomisionerja pritet të prezantojë planin që shoqërohet nga një fond prej 1 miliard eurosh, që do të shpërndahet në Ballkan për të përballuar çmimet e energjisë.
Vizita e presidentit të KE-së në rajon organizohet dy javë pasi u publikuan raportet e progresit të të gjashtë vendeve, në të cilat u dha një vlerësim i detajuar dhe udhëzime të qarta që u mundësojnë vendeve të Ballkanit Perëndimor të kuptojnë se ku duhet të shkojnë më shpejt në reformat.
Meqë ra fjala, samiti i radhës i Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mbahet më 6 dhjetor në Tiranë, bëri të ditur dje presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Vizita pritet të nisë të mërkurën nga Shkupi, për të vijuar të enjten në Prishtinë, ndërsa po atë ditë pritet që kryekomisionerja të vizitojë dhe Tiranën. Ndërkohë ditën e premte ajo do të vizitojë Bosnje Hercegovinën dhe Malin e Zi, ndërkohë që do të mbyllë vizitën e saj të shtunën në Serbi.

