Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, kryetarja e KLGJ-së Naureda Llagami, paraqiti shqetësimin se gjykatat po punojnë me organikë të përgjysmuar, kjo për shkak të shkarkimeve nga Vettingu. Vlen të theksohet se kohëzgjatja e vendimarrjes në Gjykatën e Apelit Tiranë ka arritur në disa raste deri në 16 vite, duke kaluar të gjitha afatet ligjore. Duke bërë një bilanc të situatës, ajo tha se në nivel kombëtar janë tek 56% e kapacitetit të organikës së gjyqtarëve që kanë qenë efektivisht në punë, domethënë 8.2 gjyqtarë për 100 mijë banorë. Naureda Llagami shtoi se stoku i dosjeve në gjykata është shqetësimi kryesor i KLGJ-së.
“Në nivel kombëtar jemi tek 56% e kapacitetit të organikës së gjyqtarëve që kanë qenë efektivisht në punë. 8.2 gjyqtarë për 100 mijë banorë, ku raporti është rreth 40% më pak se sa normës evropiane që thotë duhet të kesh 22 gjyqtarë për 100 mijë banorë. Në Gjykatën e Apelit Tiranë ku tendenca për zgjidhjen e çështjeve para zbatimit të hartës gjyqësore përllogaritej se do të shkonte deri në 16 vite për gjykimin e një çështje”, tha kryetarja e KLGJ-së.
Mungesa e gjyqtarëve për shkak te Vettingut mbetet një problem në sistemin gjyqësor. Deputeti i mazhorancës Damian Gjiknuri, deklaroi se edhe monitorimi i BE ka konstatuar vonesat e pa arsyeshme në gjykata, ku qytetarët vdesin pa marrë drejtësi.
“8 mijë ditë, 9 mijë ditë, vdesin palët të flasim të drejtën. Pra ka palë që presin gjyqin dhe i ka ardhur fatkeqësisht ora e mbarimit të jetës dhe çështja vazhdon të mbetet aty dhe imagjino çfarë zgjidhje do të kenë pastaj me trashëgimtarë dhe me histori të tjera”, tha Damian Gjiknuri.
Në të njëjtën linjë ishte edhe deputetja e opozitës Dhurata Çupi, ku theksoi se shumë qytetarë të Matit, janë përballur me vonesa të atyre përmasave sa kanë humbur jetën pa marrë drejtësi.
“Nga Mati kam me dhjetëra dhe qindra raste të qytetarëve që kanë një çështje, çështjen e njohjes së viteve si kooperativistë, nga viti në vit humbin jetën ata ndërsa dosjet vazhdojnë të jenë në Apel, sepse nuk njihen vitet e kooperativës”, tha deputetja e PD-së Dhurata Çupi.

