Gati 4 orë ka qëndruar kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në është paraqitur pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Meta hyri brenda në SPAK që prej orës 10:00 ku po jep deklarimet e tij në lidhjen me çështjen CEZ-DIA, ndërsa shoqërohej nga Bledar Dervishaj, këshilltari ligjor që prej kohës kur ishte në presidencë.
Pasi përfundoi marrjen në pyetje, Meta tregoi se ishte marrë në pyetje për dosjen e “CEZ-DIA”, për të cilat kishte dhënë shpjegime.
Por sipas tij nuk e priste që të merrej në pyetje për të njëjtën çështje, që sipas tij rikthehej sa herë që Partia Socialiste kishte ‘probleme’.
Sipas Metës, ai i kishte dhënë të gjitha shpjegimet mbi ngjarjen duke shtuar se kishte ndjekur të gjitha hapat për të mbrojtur interesin publik. Ndër të tjera, ish-presidenti i vendit u përgjigj me buzën në gaz kur u pyet lidhur me pavarësinë e SPAK nga politika, apo frikën e arrestimit.
Kryetari i PL po jep deklarimet e tij në lidhje me kallëzimin e bërë në SPAK në prill të vitit 2022.
Kjo dosje është rihapur nga prokurorët Arben Kraja dhe Altin Dumani, të cilët deri më tani kanë marrë në pyetje edhe një nga personazhet kryesore të kësaj çështjeje, Kastriot Ismail, i cili ndodhej aktualisht në burg. Çështja u hap me kallëzimin e bërë nga Partia Socialiste.

