Shtatë vite pas vrasjes së ish-drejtorit të OST-së dhe njëkohësisht ish-anëtarit të Këshillit Bashkiak si përfaqësues i PS-së, Saimir Jaku janë zbardhur dhe dëshmitë e dëshmitarëve në vendin e krimit. Emisioni “Në shënjestër”, sjell dëshminë e kushëririt të Saimir Jakut, banakieres së lokalit dhe një klienti rastësor që pa skenën e krimit.
Kushëriri, në rrëfimin e tij tregon se Saimir është habitur kur ka parë dy njerëz të veshur me të zeza që janë futur në lokal dhe kanë nisur të qëllojnë tek e tek drejt tyre. Banakierja tregon se një prej autorëve është një person i mbushur, ndërsa klienti, i identifikuar si V.Lleshi thotë se nuk ka parë asgjë.
Një mesazh dërguar në telefonin e Florind Jakut, vëllait binjak të Saimir Jakut, tregon një lidhje jashtëmartesore që kishte pasur ish-zyrtari. Jaku kishte një lidhje intime me mbesën e familjes Reçi, por a mund të jetë bërë kjo gjë shkak për vrasjen e ndodhur në vitin 2016? Kjo gjë është përmendur dhe në mesazhin e dërguar nga një person anonim, në celularin e Florind Jakut. Disa mesazhe të tjera të dërguara po në telefonin e Florind Jakut, tregojnë konfliktet mes familjes Jaku dhe asaj Reçi. Në mesazhet e zbardhura vihet re se Florind Jaku ka rrëfyer për grupin hetimor se personi me inicialet P.P., që i ka dërguar mesazhet në mënyrë anonime ka folur me emra të përveçëm se kush mund të ishte ekzekutori. Ai përmend një person me inicialet D.V., që sipas anonimit, është arrestuar nga policia për vrasjen e Saimir Jakut, por është lënë i lirë për mungesë provash. Konfliktet për pazaret e drogës janë dhe pista kryesore ku janë fokusuar hetimet.
Gjashtë vite me vonë, në korrik të vitit 2022 u arrestua Dorjan Keqi, 40-vjeç nga Kruja dhe sipas policisë dyshohet si vrasës me pagesë, i cili e ka kryer ekzekutimin e Jakut, në bashkëpunim me persona te tjerë. Ai u zbulua pasi u arrestua rastësisht i dehur në timon dhe gjurma e gishtit që u krahasua me atë të gjetur në një shkrepëse në vendin ku u dogj mjeti i autorëve të Jakut, ‘përputhi’ gjithçka dhe e çoi pas hekurave.

