Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi zhvilloi një takim me Ambasadoren e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, së bashku me përfaqësuesit e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Damian Gjiknuri, Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi dhe Arian Madhi, përfaqësues i Partisë Republikane.
Ambasadorja Kim përcolli shqetësimin e SHBA-ve në lidhje me financimet e huaja ndaj politikës shqiptare dhe në mënyrë specifike të financimeve ruse.
Nga informacionet e fundit që partnerët zotërojnë, Ambasadorja Kim e përcolli këtë shqetësim tek aktorët politikë shqiptarë me qëllim që të rrisin vëmendjen dhe të bëjnë çfarë është në fuqinë e tyre me qëllim që financimet e huaja të mos kenë ndikim në politikën shqiptare. Celibashi tha se ka nevojë për përmirësim të kuadrit ligjor, të jepet mundësia praktike për të hetuar mbi sasinë e parave që marrin partitë politike dhe nga i marrin këto fonde.
Reagimi i Ambasadores :
Ambasadorja e SHBA Yuri Kim u takua me Kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi dhe përfaqësues të partive politike sot për të diskutuar kërcënimin serioz të financimeve të fshehta politike ruse si dhe kanosjen që kjo paraqet për demokracinë dhe përpjekjet anti-korrupsion. Kërcënimi i financimit të fshehtë politik rus nënvizon rëndësinë që ka rritja e transparencës në financimin e fushatave, regjistrimi i enteve të huaja, si dhe masat për të identifikuar dhe parandaluar pastrimin e parave. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me partnerë në të gjitha institucionet demokratike të Shqipërisë për mbrojtjen ndaj këtyre kërcënimeve.



