Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi është pyetur ditën e sotme për çështjen e Ervis Martinajt . Pas përfundimit të konferencës programi ‘EU4LEA’, Çuçi u pyet nga gazetarët për lajmin e muajve të fundit, për zhdukjen apo për vrasjen e Ervis Martinajt.
Çuçi u shpreh se policia e shtetit nuk mund te flasë pa pasur prova.
“Ne flasim kur kemi prova. Policia e shtetit nuk mund të flasë pa pasur prova”, u shpreh Çuçi.
Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë. Në dokumentet e publikuara nga Lapsi.al konfirmohet edhe njëherë pista për vrasjen e Martinajt, dosje që ka mbajtur ‘peshë’ institucionet e drejtësisë shqiptare. Dokumenti që jep versionin zyrtar të prokurorisë mbi fatin e 40-vjeçarit, shkruan se në kallëzimin penal, njësoj si xhaxhai edhe babai i Ervis Martinajt përmendin Indrit Doklen si të dyshuarin kryesor për ngjarjen.
Kjo pistë u publikua edhe në emisionin “Në shënjestër”. Pista e nxjerrjes së mundshme në pritë është raportuar nga Dosja.al që më 26 gusht. Duke mos marrë përsipër konfirmimin e asnjërës prej pistave, Dosja.al theksonte se nxjerrja në pritë ishte pista e parë që kishte Prokuroria mbi tavolinë. Ervis Martinaj ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, ai u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim. Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova.
Marrë nga Dosja.al

