S’kanë fund sulmet kibernetike në Shqipëri. “Homeland Justice” kanë mundur të futen në sistemet e sigurisë së Policisë së Shtetit dhe në dogana. Dosja.al disponon video të bëra publike nga hackerat të cilët kanë mundur të kapin lëvizjet që janë kryer në periudha të ndryshme në muaj të ndryshëm. Pamjet janë nga ambientet e policisë, paraburgimi, zyrat madje hackerat kanë mundur të aksesojnë dhe kamerat në Rinas dhe në kufi të vendit.
HomeLand Justice i ka bërë publike videot në ‘Telegram’. Kjo faqe rezulton të jetë me shtrirje ruse. Ajo u shfaq para sulmeve kibernetike në portalin shtetëror e-Albania, në mes të korrikut 2022. Sipas analizës së Microsoft, pas faqes së internetit qëndron një grup i lidhur me Qeverinë iraniane, i cili është përgjegjës për sulmin në internet.
Në faqen e internetit HomeLand Justice ekzistojnë disa publikime, në të cilat grupi merr përgjegjësinë për sulmin kibernetik, siç thuhet, për shkak të urrejtjes ndaj Qeverisë shqiptare.
Byroja Federale e Hetimit (FBI) dhe Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës (CISA) kanë zbuluar se hackerat kanë qëndruar për më shumë se 14 muaj në sistemet e Qeverisë Shqiptare.
Në 9 shtator sistemi TIMS në pikat e kalimit kufitar u godit nga një sulm kibernetik. Në fillim u raportuan probleme në sistemin TIMS në pikën kufitare të Kapshticës, ndërkohë më vonë u raportua për probleme dhe në pikën kufitare të Kakavijës dhe Rinasit. Dosja.al arriti të siguronte mesazhin e dërguar në kompjuterët e policëve në pikat e kalimit kufitar u ishte shkruar “Shqipëria po vuan dhe do të vuajë ende përkrahjen që i ka dhënë iranienëve të MEK”. Kryeministri Edi Rama akuzoi Iranin se fshihet pas këtij sulmi. Vendi ynë shkëputi marrëdhëniet diplomatike me Iranin pas vërtetimit të akuzave se ishte pikërisht Irani ai që fshihej pas sulmeve kibernetike më datë 17 korrik që nxorrën jashtë funksionit faqen e shërbimeve qeveritare e-Albania duke rrezikuar seriozisht sigurinë kombëtare për shkak të të dhënave të qytetarëve që mund të ekspozoheshin.

