Familjari i 15-vjeçares së përdhunuar në Rrëshen ka bërë sërish apel kundrejt institucioneve të drejtësisë. Në një lidhje për emisionin “në emisionin “Zemër të Hapur” të gazetares Evis Ahmeti, i afërmi i të miturës tha se avokati është tërhequr pasi i është bërë presion. Pa përmendur emër, ai tha se një prej përdhunuesve është nip i kryetares së kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

“Avokati u tërhoq nga presioni. Babai i ndjerë i 15-vjeçares ka ikur nga kjo botë me një brengë të madhe, pasi ai na ka pohuar para se të vdiste se nuk do e fitonte drejtësinë pasi njëri prej të akuzuarve është nip i kryetares së kuvendit të Shqipërisë. Dhe me këtë ai na la të kuptojmë se ka ndërhyrje në zbardhjen e të vërtetës. Por kjo duhet vërtetuar sepse vet i ndjeri e ka vërtetuar prandaj edhe na i rrëfeu. Gazmendi babai i 15-vjeçares iku me këtë pohim dhe këtë brengë. Në qoftë se nëna e saj nuk do e kishte zbuluar telefonin vajza do ishte në Itali sot prostitutë. Gazmendi më kishte pohuar se kjo gjë ishte e dokumentuar nëpërmjet tabulateve telefonike,”- tha familjari.

Sot Gjykata e Lezhës i ka hapur dyert një prej të arrestuarve për përdhunimin e 15-vjeçares, ngjarje e ndodhur vitin e kaluar. Ardjan Gjinkolaj, 18 vjeç është lënë në masën ‘arrest shtëpie’, kur kanë kaluar gjashtë muaj nga mbyllja e hetimeve e pretenca e prokurorisë e cila ka kërkuar 46.5 vite burg për të ulurit në bankën e të akuzuarve. Tashmë pas hekurave për të njëjtën vepër penale janë tre persona të tjerë, Ermal Trazhi, Nikë Lleshi dhe Albert Molla, për të cilët do të vendosë trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Artan Hajredinaj.
Si u zbulua abuzimi?

Babai i të miturës ka rrëfyer për mediat se ngjarja e rëndë ka ndodhur më 8 mars të vitit 2021, kur Artan Kaçorri ka shkuar dhe ka marrë 15-vjeçaren në shkollë. Sipas prindërve të vajzës, 31-vjeçari e ka marrë vajzën me zor në makinë dhe e ka droguar. Më pas ai ka kryer marrëdhënie seksuale me të, dhe e ka dërguar tek Nikë Lleshi, i cili gjithashtu ka abuzuar seksualisht me të. Me anë të një videoje, ata e kanë shantazhuar vajzën e cila nga frika është detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë në grup.
Ka qenë e ëma e të miturës që ka dyshuar se me vajzën diçka nuk shkonte pasi i ka gjetur një telefon ilegal i cili i qe dhuruar nga autorët. Brenda telefonit gjendeshin foto e video, me të cilat ata i bënin shantazh për të kryer marrëdhënie seksuale me persona të tjerë. Të arrestuarit pretendojnë se e gjithë ngjarja është inskenuar nga vajza. Rasti i përdhunimit të të miturës solli një valë protestash në vend.
Marrë nga Dosja.al

