Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se qytetarët shqiptarë paguajnë më shtrenjtë se kushdo tjetër në rajon për çmimin e naftës.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, kreu i PL-së thekson se kjo ndodh për shkak se qeveria vjedh dhe grabit me taksat e larta.
Meta e shikon si të rëndësishme heqjen e taksës në çmimin e naftës, ndërsa shprehet se Partia e Lirisë ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për heqjen e taksës së karbonit dhe qarkullimit që sipas tij do të lehtësonte ndjeshëm çmimin e naftës.
“Qytetarët shqiptarë paguajnë më shtrenjtë se kushdo tjetër në rajon për çmimin e naftës.

Nafta në Shqipëri shitet më shtrenjtë, sepse Qeveria vjedh dhe grabit me taksat e larta, duke rënduar dhe varfëruar buxhetet familjare.
Në vend që të lehtësonte barrën fiskale, ashtu siç bënë vendet e rajonit dhe të Europës, Qeveria krijoi Bordin, vendimet e të cilit nuk bëjnë gjë tjetër veçse e klasifikojnë Shqipërinë ndër vendet e para në botë për çmimin më të shtrenjtë të naftës.
Heqja e taksave në çmimin e naftës në këtë situatë krize globale është një shqetësim real i qytetarëve, për të cilin Partia e Lirisë ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për heqjen e taksës së karbonit dhe qarkullimit që do të lehtësonte ndjeshëm çmimin e naftës”, shkruan Meta.

