Prokuroria e Posaçme tërheq aktet për Erion Alibej, i cili po gjykohej në Gjykatën e Posaçme si porositës i vrasjes së Emiliano Ramazanit dhe Regis Runajt. SPAK do të vijojë hetimin për të për të zbardhur përfshirjen e tij në krim. Vendimi i SPAK erdhi pas administrimit të dëshmisë së të penduarit Nuredin Dumani, thëniet e të cilit binin në kundërshti me thëniet e të penduarit të dosjes së Alibejt, Euglen Halilajt.
Alibej, i njohur edhe me alias, Andrea Dylgjeri, akuzohej për në grup të strukturuar kriminal me të proceduarit Xhulian Hoxha e Euglen Halili dhe përmes pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal ka kryer krimet: “Vrasja me paramendim” në dëm të viktimës Emiljano Ramazani më datë 20 korrik 2020 në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan; “Vrasja me paramendim” në dëm të viktimës Regis Runaj më datë 29 korrik 2020 në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan.

Ndërkohë ndaj personave nën hetim Albert Manahasa dhe Seit Manahasa është kërkuar pushimi i çështjes për shkak se nuk e kanë kryer veprën penale për të cilën janë dyshuar.Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka mbyllur hetimet për vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runaj. Ngjarje të ndodhura nëntë ditë larg njëra-tjetrës, verën e vitit 2020. SPAK ka ngritur akuza ndaj Alibejt për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” në formën e veçantë të “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarje në grup të strukturuar kriminal”. Sipas SPAK, i vetmi person që ka pasur arsye për tu hakmarrë ndaj të rinjve ka qenë Alibej dhe për këtë arsye ka ‘punësuar’ dy të rinjtë që ndodhen tashmë pas hekurave, Xhulian Hoxha e Euglen Halili.

Prokuroria thotë se tre të pandehurit së bashku me dy persona të tjerë, që kanë marë pjesë në vrasjen e Emiljano Ramazanit, kanë vepruar si grup kriminal. Xhuliano Hoxha dhe Euglen Halili në këtë rast kanë qënë vëzhgues të Ramazanit, ndërsa vrasjen e kanë kryer dy persona të tjerë, ende të paidentifikuar, ku njëri ka shërbyer si shofer tjetri si qitës.
“…organizatori i vrasjeve, personi nën hetim Erion Alibej ka arritur të “pajtojë” si bashkëpunëtorë në krimet e vrasjeve Xhulian Hoxhën dhe Euglen Halilin, duke u kujdesur që me këtë të fundit, të mos kishte takime e kontakte të drejtpërdrejta, duke u dakortësuar që kjo do të realizohej nga vetë, Xhulian Hoxha. Ndërsa Xhulian Hoxha e Euglen Halili, janë joshur nga paratë, që ai u jepte dhe nga premtimi se do të paguheshin mirë në të holla për ndihmën që jepnin në realizimin e vrasjeve. Para kryerjes se vrasjeve, Xhulianit i janë dhënë nga personi nën hetim Erion Alibej shuma të hollash, armë zjarri e telefon mobile, për të mbajtur kontakte. Organizatori, Erion Alibej, është kujdesur që shuma të hollash dhe telefon mobile, ti jepeshin edhe vrasësit, Euglen Halilit nga vete Xhuljan Hoxha…”-thuhet në dosjen e prokurorisë së posaçme.
Emiljano Ramazani që njihej ndryshe edhe si “ILI” u vra me armë zjarri teksa kthehej nga palestra në shtëpi më 20 korrik 2020. Nëntë ditë më vonë, më 29 korrik u masakrua me thikë dhe shoku i tij, Regis Runaj. Të dy viktimat ishin shokë me njëri-tjetrin. I akuzuari si urdhërues dhe financues të këtyre dy atentateve Alibej dyshonte se Runaj e Ramazani kanë marë pjesë në vrasjen e vëllait të tij, Endrit Alibej i njohur me nofkën “Tarzani”, dajës së tij dhe një shtetasi turk, ngjarje e ndodhur më 29 dhjetor të vitit 2018.

