Maxhoranca dhe opozita do të shkojnë me dy raporte të ndryshme në Parlament pasi nuk gjetën dakordësi për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të kërkesës për heqjen e mandatit të deputetes së PS, Olta Xhaçka.
Dje, më Këshillin e Mandateve, dy palët prezantuan raportet e tyre, krejtësisht të kundërt me njëri-tjetrin ku qartësisht ato e shihnin në mënyra të ndryshme shpalljen e bashkëshortit të ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, Artan Gaçi, si investitor strategjik nga qeveria duke akuzuar njëratjetrën.

Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi, u shpreh se “Kolegët e maxhorancës kanë vendosur të marrin në mbrojtje ministren e kolegen e tyre, Olta Xhacka. Siguroj koleget se çështja do dërgohet për zgjidhje të konfliktit të kompetencave në Gjykatën Kushtetuese. Keni në dorë me forcën e kartonit për ta vonuar këtë çështje, por s’do ta pengoni kurrë zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë për një ministre që duke përfituar nga pozita ka vendosur të bëjë milioner bashkëshortin e saj”. Deputetja Klotilda Bushka u shpreh se “Këtu askush nuk ka qëllim të mbrojë askënd. Për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimin e mandatit, shumica parlamentare, çmon se nuk ndodhemi para rastit kur duhet vënë në lëvizje GJK. Dërgimi në GJK është kompetencë e seancës plenare. Kuvendi nuk është një noter që kthen një kërkesë të 1/10 se deputeteve në një kërkesë për GJK”.
RAPORTET
Maxhoranca socialiste, në raportin e saj që gazeta “Panorama” e disponon, thotë se nuk ekziston kriteri kushtetues për heqjen e mandatit të deputetes Xhaçka pasi nuk provohet fakti se prej saj të jetë kryer ndonjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit.
“Shumica parlamentare i propozon Kuvendit mosdërgimin e mocioneve në Gjykatën Kushtetuese dhe në këto kushte Kuvendi nuk mund të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Kriteri formal i kërkuar nga Kushtetuta për të detyruar Kuvendin që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar pavlefshmëri/mbarim të mandatit të deputetes znj. Olta Xhaçka nuk ekziston, pasi nuk provohet fakti se prej saj të jetë kryer ndonjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të ketë fituar pasuri të këtyre të fundit. Në këto kushte, Kuvendi nuk ka kompetencë të vendosë për dërgimin e çështjes në Gjykatë Kushtetuese.
Nuk rezulton se në dhënien e statusit Investitori Strategjik (procedurë e asistuar) si dhe në dhënien e përdorimit të bregut nuk rezulton të jetë kryer ndonjë shkelje.
Shumica arrin në konkluzionin se nuk ka asnjë çështje për shqyrtim që duhet t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese”, thotë PS në Raportin e saj. Partia Demokratike i kërkoi socialistëve të japin “Ok” për dërgimin në Kushtetuese të kërkesës për heqjen e mandatit të deputetes së PS, Olta Xhaçka.
Sipas opozitës, bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall investitor strategjik dhe kompania e tij do ndërtojë nga ku do të shfrytëzojë pronë publike për qëllim fitimi, ndërsa Xhaçka duhet të lërë mandatin pasi është në konflikt interesi. Në raportin e saj, PD thotë se Kuvendi ka detyrimin ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
“Kuvendi ka detyrimin ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Është e qartë se deputetja dhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Olta Xhaçka, ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë, pasi shoqëria “AG.TCC” sh.p.k., e cila ndodhet në pronësi të bashkëshortit të saj, z. Artan Gaci, e për rrjedhojë edhe në pronësi të saj, në kuptim të nenit 74 të Kodit të Familjes, dhe nenit 35 të ligjit nr. 9367/2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.
Konkretisht, si rezultat i përdorimit të brigjeve të detit, e cila përbën pasuri shtetërore, për instalimin e stacioneve të plazhit në fshatin Gjilekë, Himarë, shoqëria ‘AG.TCC’ sh.p.k., në bashkëpronësi të bashkëshortit dhe të deputetes Xhaçka, do të sigurojë të ardhura, çka përbën qartazi një veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit”, thuhet në raportin e PD.

