Autopsia e të ndjerit Lear Kurti, 32-vjeçarit që ndërroi jetë në duart e efektivëve të Policisë së Shtetit një natë më parë është bërë e gjitha në prani të kamerave. Burime për Dosja.al, bëjnë me dije se autopsia është e filmuar dhe e dokumentuar me foto e video nga fillimi deri në fund. Gjatë autopsisë, që është filmuar, duket edhe qesja në kamera.
Qesja, sipas të njëjtave burime për Dosja.al, është analizuar dhe ka dalë positive për kokainë. Pra, brenda saj ka pasur lëndë narkotike. Gjithsesi, sasia apo detaje të tjera të ekspertizës mjekoligjore nuk janë bërë ende me dije.
Lear Kurti humbi jetën pasi u shoqërua nga efektivët në komisariatin nr.3. Ai u ndalua në orën 23:07 të mbrëmjes së kalua nga efektivët në rrugën “Riza Çuka” në Laprakë, por ka vrapuar. Siç sqarohet në njoftimin e policisë, i riu është kapur pas ndjekje, është dërguar në komisariat, ku ka shfaqur problemet e para shëndetësore.
Fillimisht u aludua se i riu vuante nga epilepsia, më pas, në deklaratën zyrtare u tha se i riu kishte gëlltitur një qese me lëndë narkotike. kontradikta është në faktin që efektivët pretendojnë se ka ndërruar jetë në spital, ndërsa bluzat e bardha të Traumës thonë se Kurti ka mbërritur pa shenja jete në duart e tyre.
Paraprakisht, nga hetimet e derimë tanishme, është deklaruar se në trupin e viktimës nuk kishte shenja dhune. Por për kryedemokratin Sali Berisha, Kurti u vra nga Policia dhe ngjarja po mundohet që të mbulohet ashtu si rasti i Klodian Rashës, 2 vite më parë, i cili u qëllua për vdekje nga një efektiv policie.

