Sekuestrohen 522 mijë euro në Portin e Durrësit. Paratë ishin nisur nga Bari i Italisë me një autobus. Kontrolli me skaner në Portin e Durrësit zbuloi gjashtë qeset e mbushura me para në impiantit e kondicionerit në tavanin e mjetit. Bashkë me paratë janë sekuestruar edhe mallra të kontrabanduara (kafe, cigare, pije alkoolike, ilaçe, karroca për fëmijë, elektroshtëpiake dhe veshmbathje).

Paratë janë sekuestruar, ndërkohë që mësohet se Elidon Çela, pronari i kompanisë së transportit “Buon Aventura” është vënë në pranga bashkë me dy ndihmësit e tij. D. K., 36 vjeç, banues në Tiranë dhe A. C., 32 vjeç, banues në Elbasan. Ata po merren në pyetje dhe ende nuk është zbardhur dëshmia e tyre. Nuk dihet në duart e kujt do të përfundonin paratë dhe se cili ishte burimi i tyre.
Kjo nuk është hera e parë që kompania e transportit që ka në pronësi Elidon Çela, “Buon Aventura” është kapur në shkelje të ligjit. Edhe më herët kompania është futur nën hetim nga policia dhe janë zbuluar shumë parash, në sasi më të vogla, por të padeklaruara gjithashtu. Për këtë arsye, kompania është mbajtur nën vëzhgim dhe gjatë kontrollit të sotëm u gjetën 6 qeset me euro.

