Luis Gaxhi dhe Rigers Spahiu, të arrestuar vetëm pak ditë më parë nga policia e Elbasanit, janë lënë në burg nga Gjykata.
Ata dyshohet se synonin të kryenin vrasje në qytetin e Elbasanit, pasi policia i zbuloi arsenalin e armëve.
Luis Gaxhi është mik i ngushtë ndërsa Rigersi vëllai i Arjan Spahiut, i ekzekutuar në Belgjikë kohë më parë.
Por si ra policia në gjurmët e tyre?
Në dosjen hetimore thuhet se Luis Gaxhi kishte vetëm pak ditë që kishte mbërritur nga Belgjika ku kishte vuajtur një dënim për drogë, raporton News24.
Policia ra në gjurmët e tij dhe të Rigers Spahiut, pas arrestimit të Xhaferr Deliut, i cili ishte në masën e sigurisë “arrest shtëpie” për dhunë në familje, por në momentin kur policia shkoi në banesën e tij për verifikim konstatoi se kishte thyer urdhrin e gjykatës.
Ai u arrestua jashtë banesës dhe gjatë kontrollit nga uniformat blu në shtëpinë e tij u gjet një sasi prej 5 kg e gjysmë heroinë.
Hetuesit sekuestruan telefonin e tij dhe e këqyrën atë më shpresën për të zbuluar personat që mund të blinin lëndë narkotike prej tij.
Mes të tjerash, në celular u gjetën fotot e dy biznesmenëve të Elton Kilës (Otit) dhe Abedin Mamës i njohur me nofkën “Dine Çami”.
Të dy personazhet ishin të njohur për policinë, pasi sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit, i penduar i drejtësisë, ai kishte marrë porosi për të vrarë Elton Kilën, ndërsa Dine Çamin ai e akuzon për përfshirje në disa krime të rënda. Mbi bazën e dëshmisë së Dumanit, Dine Çami është në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”.
Xhafer Deliu nuk ka dhënë shpjegime të qarta për fotot, por policia duke dyshuar se mund të ishte përpara një grupi vrasësish me pagesë gjurmoi të gjitha lidhjet e të arrestuarit. Pas shumë përgjimesh dhe vëzhgimesh dhe provave të siguruara nga celulari i Deliut, u zbulua baza e armatimit e më pas u arrestuan Luis Gaxhi e Rigers Spahiu.
Prokuroria ka dyshime se Elton Kila dhe Dine Çami mund të ishin në shënjestër për t’u vrarë. Kjo sepse të dy janë në konflikt me pjesëtarët e grupit kriminal të drejtuar nga Erjon Alibaj, i cili ndodhet aktualisht në burg për urdhërimin e disa vrasjeve në shenjë hakmarrje për vrasjen e të vëllait Endrit Alibej, i njohur si Tarzani, xhaxhait të tij, Arben Dylgjeri dhe një shtetasi turk, në atë që njihet si masakra e Bradasheshit.
Rezulton se Dine Çami ka lidhje me Mikael Kamamin, ky i fundit i shpallur në kërkim si një nga autorët e dyshuar të vrasjes së trefishtë, ndërsa me Elton Kilën, ai kishte përplasje të tjera që lidheshin me çështje të drogës, raporton News 24.

