Një trajler ka përplasur për vdekje një këmbësor 75-vjeçar. Ai ishte duke kaluar superstradën, kur u godit nga mjeti i tonazhit të rëndë.
Aksidenti u regjistrua në superstradën Lezhë-Laç, pranë kryqëzimit të “Shënkollit”.
Viktima i identifikuar si Jak Gjergji humbi jetën në spital, pasi nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.
Ky është aksidenti i tretë që ndodh në harkun kohor të 24 orëve në rrugët e qarkut të Lezhës, me një bilanc prej 7 personash të plagosur.
Mëngjesin e sotëm, një grua mbeti e plagosur pasi humbi kontrollin e automjetit dhe u përplas me grilën e një dyqani në anë të rrugës. Ndërsa gjatë mbrëmjes së të dielës, një aksidenti i rëndë u regjistrua përgjatë rrugës së Lagunës së Patokut, ku dy mjete u përplasën me njëra-tjetrën e për pasojë 6 persona mbetën të lënduar.

