Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka deklaruar se nuk e njeh Sali Berishën si kryetarin e Partisë Demokratike.
Por, shtoi ai, kjo nuk duhet të përbëjë pengesë për të bashkëpunuar me të për zgjedhjet lokale dhe për daljen me një kandidat të vetëm përballë Partisë Socialiste.
Berisha: Ky konflikt që ka nisur në qendër dhe që do të vazhdoj sepse unë kam një mendim ndryshe se si duhet të ishte tani PD. Berisha mendon se ka të drejtë të drejtojë një parti për 32 vite dhe mund të rikthehet përsëri në ’91, në 2021, mendoj se kjo nuk na bën alternativë qeverisëse. Nuk ka asnjë çështje për të cilën kam ndryshuar mendim për Berishën, por kjo s’më pengon të hyj në bashkëpunim me një pjesë që mendon ndryshe nga unë në PD për të zgjedhur kandidatë të përbashkët për të mundur Ramën në zgjedhjet lokale. Kjo është e vetmja rrugë.
Përsa i përket bashkimit të dy grupimeve në PD, Bardhi tha se ka zhvilluar një takim të dytë me deputetin Edi Paloka, por nuk bëri të ditur asgjë nga ato çfarë kanë diskutuar.
I ftuar në emisionin “Now”, Bardhi u shpreh se nëse opozita do të futej e përçarë ku secila forcë do të nxirrte një kandidat të vetin, atëherë kjo do të ndihmonte kandidatët e kryeministrit Rama.
Berisha: Në fakt nuk i kemi lënë ditët të ikin. Unë jam takuar përsëri me zotin Paloka, por kësaj here mediat nuk arritën dot të na ndiqnin në takimin tonë të dytë, sikundër kam qenë në vijimësi në komunikim me të. Jam takuar të enjten që shkoi. Edi Rama do të përfaqësohet në secilën prej njësive vendore me një kandidat. Nëse opozita përbëhet jo vetëm nga disa pjesë brenda Partisë Demokratike, por dhe parti të tjera opozitare, secila prej tyre do nxirrte një kandidat, sigurisht do të ndante votën dhe do t’i jepte mundësi kandidatëve të Edi Ramës për të fituar lehtësisht.

