Prokurori i Përgjitshëm Olsian Çela është shprehur se duhet të ndryshohet njëherë e mirë perceptimi se ligji zbatohet vetëm ndaj të dobëtve dhe të tregohet me fakte ndarja nga praktikat e së kaluarës.
Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të Prokurorëve për të zgjedhur një anëtar për në KLP, Çela u shpreh se ka një mosbesim të thellë, të përhapur ndaj punës së prokurorëve.
“Ka një mosbesim të thellë, të përhapur ndaj punës tonë. Është e pafalshme që mosfunksionimi siç duhet i sistemit të drejtësisë të ju përcjellë qytetarëve ndjenjën e pafuqisë dhe dorëzimit të së keqes. Duhet ta ndryshojmë njëherë e mirë perceptimin se ligji zbatohet vetëm ndaj të dobtëve. Ka ardhur koha që ta tregojmë me fakte ndarjen nga praktikat e së kaluarës”, tha Çela.
Prokurori Olsian Çela ka vënë theksin tek rastet e abuzimit me pronat si dhe ndërhyrjen në regjistrat e kadastrës.
“Mbeten shumë shqetësuese rastet e abuzimeve me pronat, sidomos me ato në bregdet. Hetimet do të vijojnë të thellohen për nxjerrjen para përgjegjësisë penale ndaj çdo shkelësi të ligjit.
Ndërhyrjet në regjistrat e kadastrës për të cilat ka pasur disa denoncime publike janë tronditëse pasi përveç disa pasojave që mund të kenë shkaktuar, dëmtojnë besueshmërinë e institucioneve përgjegjëse për mbajtjen dhe sigurimin e tyre. Hetimet kanë disa muaj që kanë nisur dhe publiku pret përgjigje të qarta për dëmin dhe autorin. Duhet të dalin përgjegjësit në të gjitha nivelet, kushdoqofshin ato dhe rezultatet duhet të i bëhen publikun”, tha ai.
Gjatë fjalës së tij, Çela ka deklaruar se “lufta ndaj Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është prioritet për vendin” teksa ka shtuar se mbetet shumë për t’u bërë në drejtim të rritjes së performancës së Policisë Gjyqësore.
“Lufta ndaj Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është prioritet për vendin dhe ndërveprimi mes struktuarve tonë mbetet tepër i rëndësishëm për arritjen e objektivave.
Mbetet shumë për t’u bërë në drejtim të rritjes së performancës së Policisë Gjyqësore.
Ai ka deklaruar se tanimë, prokurorët janë të pavarur, për të cilët ka pasur dhe një mesazh.
Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela: Tashmë, prokurorët janë realisht të pavarur dhe këto nuk janë fjalë boshe. Sot jemi të mbrojtur nga ligji. Ka një sërë institucionesh që garantojnë palëvizueshmërinë tuaj në detyrë dhe jeni po aq të mirëtrajtuar financiarisht. Askush nuk mund të influencojë mbi vendimet tuaja. Ruajeni fort pavarësinë funksionale dhe po kaq fort t’i përkushtoheni funksionit që keni marrë përsipër”

