Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi ka folur para mediave pas hyrjes në territorin e Kosovës pasi e pati të pamundur të realizojë vizitën e planifikuar në Beograd.
Bislimi deklaroi se kishte planifikuar të merrte pjesë në konferencën e Forumit për Marrëdhënie Etnike, në tryezën e diskutimit “Dialogu Diplomatik”, me temë “Kosova dhe Perspektiva Evropiane e Rajonit”
“Ne kemi paraqitur kërkesën para organeve shtetërore serbe qysh nga java e kaluar dhe gjithçka ishte në rregull. Edhe sot gjithçka ishte në rregull derisa në një moment të caktuar na është thënë se Serbia nuk mund të na ofrojë siguri, apo siguria ka qenë e cenuar”.
“Për neve ky kthim është një sinjal se Serbia nuk është e gatshme të punojë për normalizimin e marrëdhënieve. Është paradoksale që në një konferencë për sigurinë, Serbia pranon se ka njerëz që cenojnë sigurinë dhe pranon se është e dobët për të ofruar siguri për pjesëmarrësit”.
Bislimi thotë se arsyeja është tërësisht ndryshe nga ajo që pretendohet nga pala serbe.
“Ju e dini që qytetarët në Serbi i janë ekspozuar një propaganda të tmerrshme sa i përket situatës në Kosovë. Si duket ka pasur rezistencë të fortë në Serbi për pjesëmarrjen tonë”, tha ndër të tjera Bislimi.

