Banorët e Bërxullës në Bashkinë Vorë kanë dalë ditën e sotme në protestë për autostradën që pritet të lidhë Thumanën me Fierin.
Ata deklarojnë se nuk do të lejojnë vazhdimin e projektit pa u sqaruar më parë për kompensimin e vlerës së tokes apo të shtëpive që preken nga projekti.
Në protestën e sotme nuk kanë munguar tensionet. Disa prej banorëve janë përplasur me policinë, e cila ua ndalonte daljen në rrugë, duke shmangur bllokimin e saj. Një prej banoreve tentoi që t’u dilte para makinave mirëpo u ndalua nga efektivët.


Banorët e zonësthonë se kompania Gener2 që ka fituar projektin me koncesion për 35 vite, në kundërshtim me ligjin, ka nisur punën në terren pa pasur një leje ndërtimi. Ata pretendojnë se nuk kanë marrë asnjë njoftim lidhur me projektin, e as për shpronësimet.
Banorët u shprehën se nëse nuk merren masa për kërkesat e tyre do të protestojnë sërish në ditët në vijim. Thirrja e tyre shkon për kryeministrin Edi Rama, prej të cilit kërkojnë një takim për negociim.
Janë rreth 200 banorë të Fushë-Prezës dhe Bërxullës, të cilët preken nga shkatërrimi i pronave dhe tokave bujqësore. Një pjesë e këtyre banesave ende janë në proces legalizimi, ndërsa për tokat bujqësore kanë çertifikatë pronësie.

