Në ditën e fundit të zgjedhjeve afatmesme në SHBA, miliarderi Elon Musk u ka bëri thirrje amerikanëve që të votojnë kandidatët e Partisë Republikane.
Përmes një postimi në Twitter, Musk shkruan se “pushteti i përbashkët frenon ekseset më të këqija të të dyja palëve”, ku sipas tij vota ndaj republikanëve në Kongres balancon presidencën e demokratëve.
“Për votuesit me mendje të pavarur: Pushteti i përbashkët frenon ekseset më të këqija të të dyja partive, prandaj rekomandoj votën për një Kongres Republikan, duke qenë se Presidenca është Demokratike”, shkruan Musk në Twitter.
Ndërhyrja e njeriut më të pasur në botë, në zgjedhjet që pritet të mbahen më 8 nëntor për në Kongres, vjen 10 ditë pasi ai bleu mes polemikash rrjetin social Twitter, për një shumë prej 44 miliardë eurosh.
Duke pasur parasysh botëkuptimin e tij të vetë-përshkruar si një “absolutist i fjalës së lirë” analistët besojnë për një rikthim të personave të ndaluar në Twitter, ku me shumë gjasa mes tyre do të jetë dhe ish-presidenti Donald Trump.

