Policia e Tiranës dhe Prokuroria kanë nisur hetimet ndaj dy të miturve në Tiranë që mashtronin meshkuj përmes adresave false në rrjetet sociale, duke u ofruar shërbime seksuale kundrejt pagesës.
Të miturit publikonin në faqe postime me anë të të cilave joshnin “viktimat” dhe linin takime me ta. Ata i jepnin adresën e apartamentit ku do të takoheshin dhe i kërkonin 100 euro.
Më tej, 13-vjeçarët i kërkonin klientëve që kur të futeshin në pallat, në hyrje të linin një zarf me shumën prej 100 eurosh.
Ky ishte kushti që i vendosnin klientëve për tu ngjitur më pas në apartamentin e “Anës” për të zhvilluar takimin.
Shuma e parave merrej nga dy të miturit që prisnin viktimat në hyrje të një pallati në territorin e komisariatit nr.4 dhe më pas largoheshin.
Klientët trokisnin në një banesë ku nuk i përgjigjej askush.
Njoftimi nga policia
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Mashtrimi”, për shtetasit e mitur D. B. dhe D. P., banues në Tiranë, pasi kanë krijuar adresa false, me foto vajzash, në rrjetin social Instagram, dhe nëpërmjet tyre kanë mashtruar shtetas të ndryshëm, me pretendimin se do t’u ofronin shërbime me natyrë seksuale, kundrejt pagesës.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

