Kryeministri Edi Rama deklaroi ditën e sotme nga mbledhja e Qeverive Shqipëri-Maqedoni e Veriut se dy vendet kanë shprehur vendosmëri për t’u anëtarësuar në BE. Gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Rama u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk kanë qënë kurrë më të mira se sot, si dhe shtoi se nisma Ballkani i Hapur i ka dhënë provat e saj.
‘Kemi pasur një mbledhje produktive, kemi finalizuar 21 akte të dakordësuara në një proces intensiv, si pjesë e punës së qeverive tona që janë në ndërveprim të vazhdueshëm. Kemi dakordësuar dhe 3 nisma nga zv.kryeministri i parë Artan Grubi, që kanë të bëjnë me ndërtimin e infrastrukturës. Të treja këto me një rëndësi të madhe strategjike, kemi rënë dakord që përsa i përket projektit të portit të thatë ta marrë përsipër qeveria shqiptare. Jemi në vështirësi të gjithë, në këto kohë të vështira afirmohet parimi që sa më shumë të punojmë së bashku, ta shohim të ardhmen si një destinacion të përbashkët. Më vjen mirë që kemi hedhur themele për një të ardhme të mirë. Sot kur pak ditë na ndajnë nga samiti i BE me vendet e rajonit tonë, do jetë në Tiranë, është një oportunitet për të nënvizuar forcën e bashkëpunimit dhe për të vënë në dukje nevojat tona.
Sa i përket aspektit mardhënieve tona bilaterale, nuk kanë qënë kurrë më mirë. Nisma e Ballkanit të Hapur na ka dhënë provat në shifra, shihni importet dhe eksportet, ka një rritje që është një kapërcim. Për mua është shenjë e rëndësishme e potencialit. Jemi sot së bashku këtu për herë të parë, si vende që negociojnë anëtarësimin në BE. Pas një kohe të gjatë fati na u desh që ne të bashkoheshim në dhimbje, për dashurinë ndaj europës dhe indiferencës së Europës ndaj nesh. Sot jemi në një fazë tjetër, aty ku vendi ynë është në familjen e Bashkuar europiane. Ky afirmim ka ardhur pas pasionit, punës, rezultateve dhe vendosmërisë tonë për tu martuar me hir apo me pahir me të dashurën tonë, të përbashkët, Europën e Bashkuar.‘- tha Rama.

