Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi dy ditë pas protestës kombëtare të opozitës se Edi Rama kërkon ti marrë vendit pluralizmin, ndërsa iu bëri thirrje ndëkombëtarëve që të shohin shqiptarët që janë ngritur në këmbë. Berisha tha se axhenda e protestave do të zbardhet shumë shpejt.
“Ne do i dalim zot, ne nuk do pranojmë kurrë. Nuk do pajtohemi. Edi Rama është një armik i betuar i parlamentarizmit. Unë u them sot se nuk ka kryeministër në planet, as edhe Idi Amin që vriste ministrat e tij, diktator që mund të përdorë një fjalim të tillë kundër opozitës si Edi Rama. Së fundmi, Edi Rama kërkon asgjësimin e pluralizmit. Kërkon të marrë flamurin e PD-së dhe t’ua varë në qafë, vasalëve të tij, me qëllim që të hakmerret si bir dhe nip xhelati, për përmbysjen që kjo parti u bëri etërve të tij. Shqiptarët janë sot më në këmbë se kurrë. Protesta e 12 nëntorit faktoi se janë më në këmbë se kurrë. Ju njoftoj se shumë shpejt do njiheni me axhendën e protestave të tjera të fuqishme. Edhe njëherë thirrja ime për miqtë dhe partnerët është: Mbështesni shqiptarët në betejën e tyre. Ne do fitojmë.”-tha Berisha.
Deklarata vjen dy ditë pas protestës kombëtare që opozita PD-PL zhvilloi në Tiranë. Për 3 orë, mijëra qytetarë kërkuan rrëzimin e qeverisë dhe ndërhyrjen emergjente në ekonomi. Protesta u mbyll me zotimin për tu riorganizuar sërish dhe për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë.

