Zbardhet vrasja e Briken Sanajt, i cili u qëllua për vdekje tek Kodra e Diellit. Mediat kanë publikuar sot lajmin se autori është zbuluar por nuk është prangosur pasi dyshohet se është arratisur drejt Belgjikës. Por pas publikimit të lajmëve, Policia e Shtetit ka reaguar duke sqaruar se lajmi nuk është i vërtetë, e deri më tani nuk ka asnjë të dhënë për t’u ndarë me publikun. Madje në njoftim shtohet se uniformat blu vazhdojnë intensivisht punën hetimore me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
“Sqarim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Në lidhje me një lajm të publikuar, për zbardhjen e vrasjes së ndodhur më datë 30.10.2022, në zonën e quajtur “Kodra e Diellit”, dhe se janë identifikuar autorët e saj, sqarojmë opinionin publik se: Lajmi i publikuar nuk është i vërtetë. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht punën hetimore dhe policore, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe për identifikimin e kapjen e autorit/ëve,”-bën me dije Policia e Shtetit.
Briken (Skerdilajd) Sanaj u qëllua më 30 tetor, por edhe pse u dërgua në spital nga shokët e tij, ndërroi jetë prej plagëve të marra në fytyrë, ndërsa autori e dogji makinën në Qafë Kashar. Dyshohet se 39-vjeçarit i është marrë jeta vetëm për plagosjen e kryer 10 vite më parë nga vëllai i viktimës, Antonio alias Renato Sanaj, e gjitha pas një sherri të nisur për një vajzë. Në atë kohë, Renato qëlloi dhe plagosi Gentian Kolën. Dy familjet në Lezhë u futën në gjak dhe tentativat për pajtim ishin të pasuksesshme. Për të shmangur atë që ndodhi, dy vëllezërit kishin ikur nga Shqipëria dhe kishin nisur një jetë tjetër në Itali, por duket se nuk i kanë ikur dot hasmit.

