Nicki Minaj, Maluma dhe këngëtarja libaneze Myriam Fares do të hapin kompeticionin sportiv më të madh, Botërorin e Katarit.
Një ditë përpara performancës, artisti kolumbian ka dhënë një intervistë për televizionin izraelit. Gazetari Moav Vardi ka pyetur Malumën se çfarë mendon për shkeljen e të drejtave të njeriut në Katar.
“E dini çfarë duhet t’ju pyes. Shakira dhe Dua Lipa refuzuan të marrin pjesë në këtë Botëror për shkak të historisë së keqe të Katarit për të drejtat e njeriut dhe padyshim që njerëzit mendojnë: ‘Maluma, a nuk ke probleme me shkeljen e këtyre çështjeve në atë vend?’
“Po, por është diçka që nuk mund ta zgjidh. Shkoj vetëm për të shijuar jetën, për të shijuar futbollin dhe festën e futbollit. Nuk është diçka në të cilën duhet të përfshihem vërtet. Po e shijoj muzikën dhe jetën time të bukur, duke luajtur edhe futboll”, u përgjigj ai.
Menjëherë më pas, gazetari ka insistuar sërish për këtë çështje, duke pretenduar se me pjesëmarrjen e këngëtarit në Botërorin e Katarit “do të ndihmonte regjimin për të mbuluar situatën”.
“A duhet t’i përgjigjem kësaj pyetjeje?”, pyeti Maluma.
Kolumbiani refuzoi të përgjigjej dhe u largua duke habitur gazetarin dhe ndjekësit.

