Përmbytjet e 24 orëve të fundit kanë shkaktuar një përplasje replikash mes opozitës dhe qeverisë në Tiranë. Situata e rënduar në Shkodër ku qindra shtëpi janë nën ujë dhe e kanë të pamundur qarkullimin kanë dërguar shefin e opozitës, Sali Berisha në kryeqendrën e veriut.
Berisha udhëtoi sot drejt Shkodrës nga ku akuzoi qeverinë për një keqadministrim total të situatës duke nisur që me hapjen e paparalajmëruar të liqenit të Komanit. Berisha tha se sot Shqipëria drejtohet nga “njeriu hajdut” një simbolizim për kryeministrin Rama.

Berisha tha se kaskada u keqmenaxhua për të vjedhur energji. Kreu i PD deklaroi se u ndërpre furnizimi me energji për ta shitur energjinë 4 herë më lirë nga sa e blejnë. Kjo sipas tij është skema e vjedhjes me energjinë.
Ndërkohë ndryshe nga sa pritej, kryeministri Edi Rama ka shtyrë vizitën e parashikuar sot në Shkodër. Rama i ka kthyer përgjigje opozitës përmes rrjeteve sociale dhe garanton se shteti është në krye të detyrës.
Rama i quan akuzat për vjedhje energjie dizinformim. Sipas tij, qeveria importoi energji deri më 19 nëntor për të mos rrezikuar rezervat hidrike duke mos e parashikuar dot sesa reshje do të binin.

