Qeveria do detyrojë punëdhënësit që për çdo person me aftësi të kufizuar që nuk e kanë punësuar sipas ligjit do të paguajë kontributet në nivelin e pagës minimale për llogari të Fondit Social të Punësimit.
Përmes projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.15/2019 për nxitjen e punësimit”, i hedhur për konsultim publik nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë synohet të korrigjohet mungesa e efikasitet të këtij ligji duke detyruar biznesin të përmbush një kriter ligjor.
Të ardhurat që do të krijohen nga pagesat e bizneseve, do të përdoren për kategoritë me nevoja të veçanta, bashkë me ndihmat që vijnë nga mbështetja drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit.
Në relacionin shoqërues shpjegohet se në nenin 20 për “Punësimi i personave nga grupet e veçanta”, që sipas nenit 3, pika 4, shkronja “c”, të këtij ligji, janë personat me aftësi të kufizuara është parashikuar se, çdo punëdhënës duhet të punësojë: një person që i përket grupeve të përcaktuara të këtij ligji, për 25 punonjësit e parë të ndërmarrjes dhe nga një person shtesë, sipas grupeve të përcaktuara për çdo 50 punonjës të tjerë të ndërmarrjes.
Punëdhënësi, i cili nuk punëson numrin e përcaktuar të personave, sipas pikës 1, të këtij neni, derdh një kontribut për llogari të Fondit Social të Punësimit, në masën e 100 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, për çdo muaj, për çdo person që i përket grupeve të përcaktuara në nenin 3, pika 4, shkronja “c”, të këtij ligji, që ai duhet të kishte punësuar.
Ligji “për nxitjen e punësimit” i 2029, përcakton si grupe të veçanta të disavantazhuar individët me statusin e jetimit që ndodhen në kushte të vështira ekonomike; kryefamiljarë të vetëm, me fëmijë në ngarkim; persona me aftësi të kufizuara, përfshirë personat që nuk dëgjojnë dhe invalidët e punës; të vlerësuar pjesërisht të aftë për punë nga komisionet përkatëse; prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuar; persona me moshë mbi 55 vjeç; persona nga komuniteti rom dhe egjiptian; persona që kanë vuajtur dënimin me burgim, apo ndaj të cilëve është vendosur; pezullimi i vendimit me burgim dhe zëvendësimi i tij me një dënim alternativ; persona nga familje që përfitojnë nga programet e mbështetjes me të ardhura; punëkërkues të papunë, të kthyer prej jo më shumë se dy vjetësh nga emigracioni; të rinjtë me moshë nën 29 vjeç; viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit; nënat nën moshën 18 vjeç.
Fondi Social i Punësimit përdoret për financimin e programeve që synojnë punësimin, vetëpunësimin, rehabilitim për punë, aftësimin dhe riaftësimin profesional apo për subvencionimin për rikonstruksionin dhe përshtatjen e ambienteve të punësimit apo të institucioneve për çdo person me aftësi të kufizuar.
DERDHJA E KONTRIBUTIT
Qeverisë shqiptare i janë dashur tre vite për të korrigjuar veten për mungesën e gjetjes të një zgjidhje nga ana e saj që bizneset të plotësonin një detyrim ligjor.
Ministria e Ekonomisë dhe Financave duke se ka gjetur “praktikën” për t’i detyruar bizneset të paguajnë për një person që nuk e kanë të punësuar. Në relacionin e projektligjit të propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë theksohet se dispozitat në lidhje me personat me aftësi të kufizuar për detyrimet ndaj kësaj kategorie kanë qenë totalisht të pazbatuara.
Kjo pasi në ligjin ekzistues, procedura dhe mënyra e derdhjes së kontributit, përcaktohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit dhe zhvillimit të aftësive.
Ky formulim e bën të pamundur zbatimin e ligjit pasi nuk është përcaktuar institucioni që do të mbledhë këtë kontribut. Pikërisht për të zgjidhur këtë ngërç dhe vakancë ligjore, në pikën 2 të nenit 2022 ndryshohet: “Kontributi derdhet nga punëdhënësi dhe pasqyrohet në listëpagesën mujore të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të deklaruar në sistemin online të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, institucion i cili luan rolin e agjentit tatimor për mbledhjen e kontributit”. Po ashtu, shtohet që: “Procedurat dhe mënyra e derdhjes së kontributit përcaktohen me udhëzimin përkatës të ministrit përgjegjës për financat”.
Marre nga Panorama

