Prokuroria e Posaçme ka zbuluar rolin e Aleksandër Lahos, të njohur si ‘Rrumi i Shijakut’ përmes aplikacionit ‘Sky ECC’, në mesazhet dhe bisedat që ai ka zhvilluar. Ky aplikacion dhe “Enkro Chat” u zbërthyen nga Europol në vitin 2021, duke zbuluar lidhje të organizatave kriminale në mbarë Evropën dhe botën.
Prokuroria ka arritur të sigurojë të dhëna rreth veprimeve të Lahos, mbi të cilat janë ngritur edhe akuzat nga SPAK-u, për “korrupsion” dhe “tjetërsim të pronave”, në zonën e Gjirit të Lalëzit. Javën e kaluar, Struktura Antikorrupsion i është drejtuar me kërkesë Gjykatës së Posaçme, për “arrest me burg”, ndaj Aleksandër Lahos, kërkesë që u pranua prej kësaj të fundit duke ia përcjellë Policisë urdhërarrestin për ekzekutim.
Hetimet për tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalëzit nisën disa muaj pas atentatit të vitit 2019. Në telefonat e sekuestruar më herët nga ana e SPAK-ut për këtë ngjarje, u gjetën biseda, përgjime e video ku flitej për tjetërsimin e rreth 45 mijë m2 tokë në zonën e Gjirit të Lalëzit.
Përveç tjetërsimit të 45 mijë m2 tokë, Aleksandër Laho dyshohet se është përfshirë edhe në tjetërsimin e 14 parcelave. Kjo është masa e dytë e arrestit në mungesë ndaj këtij personi pasi disa muaj më parë, “Rrumi” u shpall në kërkim për heqje të paligjshme të lirisë pas dëshmisë se vëllezërve Beqiraj.

