Operacioni i madh ndërkombëtar i emërtuar “FRIDA-REFOX” u zhvillua në datat 8 dhe 9 nëntor në vendin tonë.
Një ditë më vonë, SPAK doli në një konferencë duke dhënë detaje të përgjithshme, por pa përmendur asnjë emër të ndonjë personi që spanjollët e Policisë dhe të hetimit kishin kërkuar të arrestoheshin me çdo kusht.
Prokuroria e Posaçme shpërndau të dhëna që lidheshin me bashkëpunimin ndërkombëtar, duke evidentuar faktin se skuadra jonë hetimore ishte në të njëjtën linjë, por asnjë prej emrave që në fakt kërkoheshin nga Policia e Spanjës nuk u bënë publik në atë deklaratë të gjatë.
SPAK u kujdes vetëm të tregonte pak detaje që lidheshin me mënyrën se si operonte grupi kriminal për të kryer mashtrime duke shmangur edhe shifrën totale të mashtrimit, të cilën shqiptarët e morën vesh vetëm pas një shkrimi në të përditshmen e njohur “El Pais”, të publikuar dy ditë më parë.
SPAK në deklaratën e vet tha se grupi kriminal përfitonte rreth 5 milionë euro për çdo tre muaj, ndërkohë që nuk u dha koha e përafërt e nisjes së aktivitetit të mashtrimit nga ana e kësaj organizate kriminale. Mirëpo, kanë qenë hetuesit spanjoll që i kanë thënë medias së vendit të vet, që shumë e mashtrimit kap shifrat e 2.4 miliardë eurove.
SPAK PËR OPERACIONIN
SPAK, tri javë më parë dha detaje të operacionit ndërkombëtar për mashtrimet kompjuterike.
Në njoftimin zyrtar u tha së dëmet nga këto mashtrime kapnin vlerën e rreth 50 mln euro çdo tre muaj dhe numri i viktimave të këtij mashtrimi të madh në internet llogaritej në qindra-mijëra persona.
Sipas hetimeve, këta persona janë kryesisht shtetas të vendeve europiane.
Gjatë hetimeve janë kryer 11 kontrolle qendrash thirrjeje dhe banesa. Janë arrestuar 4 shtetas të dyshuar si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas të tjerë, si organizatorë të këtij aktiviteti kriminal.
SPAK tha gjithashtu se janë sekuestruar rreth 300 pajisje kompjuterike, laptop, usb, hard disqe, prova të tjera dixhitale dhe dokumente të shumta si dhe portofola kriptovalutash në vlerën afërsisht 15.000 USD dhe cash 90.000 euro.
Në fakt, nga sa u mësua më vonë numri i personave të përfshirë në këtë operacion mashtrimi ndërkombëtar ishte më i madh.
Policia spanjolle që prej muajsh gjendej në vendin tonë kishte kërkuar arrestimin e dy personave dhe madje edhe ekstradimin e tyre drejt Spanjës, pasi ata kishin lëshuar një mori urdhërarrestesh, mes tyre edhe emrin e personit që ata e konsiderojnë si kokën e këtij grupi.
Ndonëse SPAK nuk bëri me dije zyrtarisht asnjë prej personave të arrestuar, u mësua se operacionet u kryen në Tiranë, Vlorë dhe Elbasan, madje u soll në pranga Berlando Saraçaj nga Vlora. Për të ekzistonte një urdhër ndalimi ndërkombëtar, i lëshuar nga një gjykatës spanjolle që në nëntorin e vitit 2021 nën akuzën e “Mashtrimit në rrethana rënduese të kryera në vazhdimësi”.
Po ashtu, i riu, sipas spanjollëve të hetimit, ishte i dyshuar edhe për pjesëmarrje në organizata kriminale. Por SPAK dhe Policia e Shtetit nuk ia nxorën emrin ashtu siç nuk bënë me dije asnjë prej emrave të personave, ndaj të cilëve ishte lëshuar një urdhërndalim nga Gjykata Apanjolle.
Nga sa u mësua në mënyrë konfidenciale, në dokumentet e spanjollëve që në kohën kur ata kanë mbërritur në vendin tonë, ka qenë edhe emri i Amant Josifit, kompania e tij, si dhe katër persona mjaft të rëndësishëm në lidhje me angazhimin e tyre në këtë afërme miliardaeuroshe.
Sipas të dhënave që u lanë në SPAK dhe BKH në kohën e verifikimit të personave u mësua se bëhej se një qendër mashtrimi ishte e lidhur me ‘Milton Group’, që ishte e drejtuar nga një këshilltar i Ministrisë së Mbrojtjes me lidhje me familjen e Kryeministrit.
Në dokumente u bë me dije se përmendeshin emrat e Adrian Korriku, Iris Puce, Berlando Saraçaj dhe Erindi Pysqyli, ku dy të fundit do të ekstradoheshin në Spanjë.

