Vetëdorëzohet në Policinë e Shtetit pas dy vitesh arrati Daniel Pepaj, i cili akuzohet se është autor i vrasjes së dy kushërinjve Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj, në Malësinë e Madhe për shkak të konfliktit për parcelat e mbjella me kanabis. Ngjarja ka ndodhur më 3 Tetor 2020 në fshatin Vrith dhe i riu Pepaj, ishte ishte shpallur në kërkim menjëherë pas ngjarjes së rëndë. Por dyshohej se ishte fshehur prej kohës në Mal të Zi për t’u shpëtuar prangosjes. Në njoftimin zyrtar, uniformat blu thonë se Pepaj është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
NJOFTIMI I PLOTË:
Malësi e Madhe/Shkodër
Finalizohet operacioni policor i koduar “Vrith”, për kapjen e një personi në kërkim, me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Vihet në pranga 27-vjeçari, për vrasje të dyfishtë me armë zjarri. Shërbimet e Komsiariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Shkodër, ndaluan shtetasin: -D. P, 27 vjeç, banues në fshatin Vrith, Malësi e Madhe. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkodrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim”, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”. 27-vjeçari dyshohet se në fshatin Vrith, më datë 03.10.2020, ka vrarë me armë zjarri, shtetasit V. Ç. dhe K. P. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Si nisi sherri mes të rinjve që solli vrasjen?

Vilson Çutaj akuzonte Daniel Pepajn se i kishte vjedhur 50 kg kanabis. Ai kërkoi ndihmën e Klement Pepajt për t’u ballafaquar me Danielin, të cilin të dy e rrahën.
Pas dhunës, 25-vjeçari pranoi se e kishte marrë ai kanabisin dhe u propozoi që t’u kthente sasinë prej 7 kg që i kishte mbetur. Kështu, më datë 3 tetor, Olsoni në timon, tre të tjerët pasagjerë, u nisën drejt vendit ku supozohet se Danieli kishte fshehur drogën. Olsoni priti në qendër të fshatit, ndërkohë që tre të rinjtë, u zhdukën për të mos u kthyer më, për pesë ditë me radhë. Danieli e qëlloi Vilsonin me armë zjarri, ndërsa pas tij, nga frika se mos tregonte, vrau edhe Klementin.
Më pas, u largua, në një drejtim që ende nuk dihet. Dy kufomat e të rinjve u gjetën të mbuluar me shkurre dhe larg njëri-tjetrit, pas më shumë se 5 ditësh kërkime në zonë. Pranë tyre u gjetën edhe 29 rrënjë kanabisi.

