Të tjera detaje kanë dalë lidhur me tentativat për eliminimin e Elton Kilës, i njohur ndryshe edhe si Oti i Elbasanit.
Atij i janë bërë dy tentativa për ta vrarë, por që të dyja këto tentativa kanë dështuar, pasi ai nuk ka qenë pranë pikave ku vrasësit me pagesë kishin planifikuar për të finalizuar aksionin.
Ndërkohë ai vijon të mos merret në pyetje nga SPAK, pavarësisht këtyre tentativave për ta eleminuar.
Gazetari investigativ, Artan Hoxha, ditën e sotme ka zbuluar në “ABC Live” se vetë Elton Kila i është drejtuar me një letër direkt, kreut të SPAK, Arben Kraja, për t’i qartësuar situatën në të cilën ndodhej.
Hoxha shtoi se pavarësisht kërkesave të tij, ai as nuk është thirrur nga SPAK për të dëshmuar, as nuk janë marrë masa për mbrojtjen e tij dhe të familjes së tij.
Kila i drejtohet drejtuesit të SPAK, Arben Krajës, duke i shpjeguar se është informuar nga mediat që është i rrezikuar për tu vrarë. Ai mes të tjerash thekson se ka mësuar se është nën monitorim për t’u vrarë nga grupi i financuar nga Erjon Alibej. Elton Kila kërkon të japë shpjegime përpara SPAK për të sqaruar pozitën e tij. Po ashtu Kila në letrën e tij e njofton Arben Krajën se ka bërë kërkesë në polici për të përfituar mbrojtje.
“Kërkojë të japë shpejgime për të sqaruar pozitën time. Kam bërë kerkesë tek ju, me datë 10.11.2022 dhe në polici për te me ofruar mbrojtje. Jam njeri që dua të vazhdojë rutinën e jetës time. Baba i dy vajzave. Kërkoj të vazhdoj jetën time.”, shkruhet mes të tjerash nga Elton Kila në letrën drejtuar Krajës.

