Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka paralajmëruar lënien e mandatit të deputetit pas bllokimit të punës për 6 muaj për nismën ligjore të rregullimit të tregut bujqësor dhe blegtoral. Paralajmërimi është lënë të kuptohet nga një postim i shoqëruar me video i deputetit që thotë se këtë të enjte nuk ka parlament, ndërsa akuzon për skuthllëk dhe klientelizëm edhe kolegët e tij socialist. Braçe thotë se mandatin e deputetit e ka cilësuar si punë dhe në momentin kur si punë nuk i lejohet që ta kryejë, atëherë çfarë duhet të bëjë?
“Kur kam nisur kete pune, as e dija e as e kerkova deputetin per honor, vanitet, pasurim gjithashtu; E DOJA SI PUNE, E KAM BERE SI PUNE! Por kur nuk te lene te besh punen tende, cfare duhet bere? Shikoni, ky bllokimi i punes nis si KLIENTELIZEM dhe mbaron si PERSONAL, ndaj gjithnje e me shume eshte KOHA PER PUNE TJETER;”-thotë Braçe duke theksuar mesazhin e disa ditëve më parë se është koha për një punë tjetër, duke paralajmëruar largimin nga politika aktive.

