Një incident i rëndë është shënuar ditën e sotme në Sarandë. Burime nga policia bëjnë me dije se është dhunuar roja i spitalit rajonal në Sarandë. Fatri Mullaj 38- vjeç është goditur me sende të forta nga 33- vjeçari Erion Canaj në ambinetet e spitalit duke e lënë të plagosur dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Agresori është shpallur në kërkim nga policia. Roja Fatri Mullaj 38 vjeç, është dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim më të specializuar.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë shpallën në kërkim shtetasin E. C., 33 vjeç, banues në Sarandë, pasi dyshohet se mëngjesin e sotëm, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin F. M., 38 vjeç, roje i spitalit të Sarandës, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve”, thuhet në njoftim.
Shkak i sherrit është bërë një vend parkimi, i cili ka agravuar deri në përdorimin e sendeve të forta. Agresori Erion Canaj kishte shkuar në spital për të vizituar djalin e tij, ku u përfshi në konflikt me rojen të cilin më pas e dhunoi.

