Pas dëshmive të shumta të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumanit, që nxori disa emra të përfshirë në ngjarje kriminale dhe në porositës të vrasjeve, duket se një tjetër emër i njohur për drejtësinë pa pranuar të flasë dhe të rrëfejë ato që di.
Bëhet fjalë për Erion Alibejn, i cili do të bëhet i pesti “i penduar” i operacionit “Plumbi i Artë” që do të rrëfehet.
Burime për Ora News bëjnë me dije se Alibej ka dhënë deklarime për një seri ngjarjesh kriminale duke përmendur të paktën 30 persona, ndërkohë që SPAK nuk i ka dhënë ende statusin e të “penduarit” pasi po verifikon vërtetësinë e të dhënave.
Erjon Alibej, i arrestuar nga SPAK si porositës dhe financues i disa prej vrasjeve të ndodhura në tri vitet e fundit, ka pranuar të flasë, për tre prokurorët që po ndjekin hetimet e operacionit “Plumbi i Artë”.
Me dëshminë e tij, Alibej duket se po kthehet bashkëpunëtori dhe i penduari i 5-të i SPAK në këtë çështje, pas Klevis Allës, Nuredin Dumanit, Henrik Hoxhës dhe Euglent Halilit.
Alibej ka treguar për disa ngjarje kriminale, ku është përfshirë edhe vetë, duke treguar edhe disa ngjarja për të cilat ai pretendon se ka dijeni se kush persona i kanë kryer dhe financuar ato.
Për këtë arsye SPAK ka tërhequr nga rrethet dosjet e ngjarjeve për të cilat ka folur i dyshuari dhe po rishqyrton rrethanat dhe provat.
Erjon Alibej, sëbashku me Euglent Halilin dhe Xhulian Hoxhën, janë akuzuar për vrasjen e shtetasit Regis Runaj.
Por sapo dosja kaloi për gjykim, prokurori i çështjes Behar Dibra, i kërkoi Gjykatës së Posaçme, tërheqjen e akteve hetimore vetëm për të pandehurit, Erjon Alibej, me argumentin se SPAK po hetonte dhe për vrasje të tjera.
Ndërkohë mësohet se prokurorët janë duke kryer një mori veprimesh të tjera, ku po verifikojnë dëshmitë e dhëna nga Erjon Alibej dhë vërtetësinë e tyre./Oranews

