Policia spanjolle ka arrestuar një nga më të kërkuarit e FBI-së gjatë një kontrolli në Madrid. Michael James Pratt, i cili ka origjinën nga Zelanda e Re, ishte në kërkim në SHBA me akuza për shfrytëzim seksual, sulm seksual dhe imazhe të pahijshme të fëmijëve.
Policia spanjolle deklaroi se Michael James Pratt, kërkohet gjithashtu me akuzën e përfitimeve të paligjshme. Ai thuhet se ka fituar më shumë se 17 milionë dollarë përmes krimeve të tij, raporton Skynews.
Ai u arrestua në një hotel në Madrid, aty ku kishte përdorur një nga identitetet e tij të rreme.
Prokurorët në SHBA pretendojnë se burri ishte i përfshirë në prodhimin e pornografisë, rekrutimin e të miturve dhe grave të reja përmes mashtrimit dhe duke fituar më shumë se 17 milionë dollarë në proces. Pretendohet se ai ka paguar gra të tjera për t’i “karrem” viktimat e tij dhe për t’i bindur se materiali i regjistruar nuk do të publikohej.
Sipas dëshmive të viktimave të supozuara, ata mbaheshin kundër vullnetit të tyre në vendet e regjistrimit dhe nuk lejoheshin të largoheshin derisa të përmbushnin kërkesat e producentëve. Në disa raste, ata janë detyruar të kryejnë praktika seksuale të cilat më parë i kishin refuzuar.
Në shtator, autoritetet amerikane lëshuan një urdhër arresti ndërkombëtar dhe FBI e përfshiu atë në mesin e 10 “më të kërkuarve”.

