Veriu i Kosovës vazhdon të jetë i bllokuar. Sot është dita e 16 që nga vendosja e barrikadave në disa rrugë kryesore në tre komuna veriore të Kosovës, në Leposaviç, Zveçan e Zubin Potok. Edhe pse ndërkombëtarët kanë bërë thirrje të vazhdueshme për të hequr barrikadat, serbët kanë zbarkuar kamionët dhe makineritë e rënda në rrugë.
Më herët KFOR-i kërkoi zgjidhje përmes dialogut. Dje Kryeministri Kurti në një konferencë për media tha se nuk mund të tolerohet gjendja e krijuar në Veri, teksa bëri të ditur se me komandantin e KFOR-it do të takohet pas Krishtlindjeve. Që prej 10 dhjetorit në veri të Kosovës janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, shok-bomba e granata dore. Gjithsej nëntë barrikada janë ngritur nga serbët lokalë, duke bllokuar rrugët.
Pjesëtarët e KFOR-it kanë shtuar prezencën në të dy drejtimet e kufijve me Serbinë. Aty po qëndrojnë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët kujdesen për sigurinë e qytetarëve shqiptarë e serbë. Barrikadat janë ngritur si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç. Ai dyshohet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më herët gjatë muajit dhjetor.

