Prishja e godinës monumentale të Teatrit Kombëtar, deri më tani nuk ka asnjë rezultat. Deri më tani, kur kanë kaluar 2 vite ka sjellë marrjen e dëshmisë së ekskavatoristit dhe disa shoferëve të kamionëve, që Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit angazhoi për rrëzimin e godinës, por të askujt tjetër. Përmes 3 kallëzimeve penale nga Partia Demokratike dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, hetimet e nisura nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nuk janë “shtrirë” tek zyrtarët e lartë.
Gazetari Elton Qyno shkruan për “Ora News” se SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, gjatë kësaj kohe ka marrë në pyetje drejtuesin e ekskavatorit dhe punonjësit që shërbyen për largimin e inerteve. Punonjësit kanë treguar se urdhri për të çuar mjetet e rënda në objektin monumental, është marrë nga eprorët e tyre në Inspektoriatin Kombëtar, të cilën i kanë dhënë urdhër për të prishur me ekskavator dhe me mjete të tjera të tonazhit të rëndë, Teatrin Kombëtar.
Punonjësit kanë treguar se nuk i është vënë në dispozicion një dokument konkret, por u është thënë se vendimi për prishjen e objektit ishte marrë nga qeveria qendrore dhe bashkia Tiranë. Megjithatë ky zinxhir komandues i IMT-së, zyrtarëve të Bashkisë Tiranë dhe Zyrtarëve të KKRT-së nuk janë marrë në pyetje deri më sot.
Godina e Teatrit Kombëtar, u shemb të dielën në 17 maj të 2020 në orët e para të mëngjesit. Aksioni i IMT-së u ndihmua nga forca të shumta policie, të cilat përdorën dhe dhunën për të nxjerr protestuesit nga godina. Pas shembjes së godinës së teatrit nisën protesta dhe rezistencë nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, të cilat janë mbështetur dhe nga opozita.

