Sulmi kibernetik ndaj sistemit bankar në vend ka vënë në lëvizje Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejkon, dhe drejtorin e komanduar të Shërbimit Informativ Shtetëror, Oljan Kanushi, mesditën e kësaj të martë.
Sejko dhe Kanushi zhvilluan dje një takim me Kryeministrin Edi Rama, ndërsa burime bënë me dije se në qendër të bisedës ka qenë sulmi kibernetik i hakerave në sistemin e bankave përgjatë ditëve të fundit. Zyra e shtypit të qeverisë nuk njoftoi se cili është qëllimi i takimit mes Kryeministrit dhe dy drejtuesve të rëndësishëm të sistemit bankar dhe të sigurisë. Biseda kokë më kokë mes Edi Ramës, Gent Sejkos dhe Oljan Kanushit, vjen në një moment kur një bankë e nivelit të dytë u bë pre e një sulmi kibernetik.
Teksa Sejko dhe Kanushi ishin në zyrën e Ramës, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, deklaroi se asnjë institucion, si ai publik dhe privat, nuk është i paprekshëm nga sulmet kibernetike. Si anëtar i Komitetit për Mbrojtjen Kibernetike deklaroi se garanci 100 për qind nuk mund të ketë, përfshirë edhe sistemin bankar. “Mund të konfirmojë, mund ta them atë që dihet botërisht që nuk ka siguri 100 për qind, askush. Asnjë institucion, qoftë ky publik apo privat. Garanci edhe mure 100 për qind të sigurta nuk ka. Por mund t’ju them, siç thotë populli, e keqja nuk vjen vetëm për keq, vjen edhe për mirë. Ne e kemi ngritur shumë edhe vigjilencën, por edhe investimin e fokusimin në mbrojtjen kibernetike”, theksoi Niko Peleshi.
Por ministri flet me siguri për investimet që janë kryer pas sulmeve mbi sistemet e shërbimeve qeveritare. Sipas tij investimet janë të domosdoshme për t’u shtrirë dhe nga sektorin publik për të rritur sigurinë kibernetike. Kreu i Mbrojtjes tha se qeveria është në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n, për të marrë gjithë ekspertizën, veçmas në ato që njihen si grupet e reagimit të shpejtë ndaj sulmeve kibernetike.
“Jemi në komunikim të vazhdueshëm edhe me operatorët privatë, për t’i ndërgjegjësuar sepse duhet dhënë një statistikë. Më shumë se 90 për qind e sulmeve kibernetike kanë sukses për shkak të vëmendjes, pra, të faktorit njeri. Pra, nëse ne jemi më të vëmendshëm, më të trajnuar kur çfarë duhet hapur dhe çfarë nuk duhet hapur në e-mail tona private apo të punës, ne arrijmë të shmangim 90 për qind”, deklaroi ministri Peleshi. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, njoftoi dje se është miratuar ratifikimi i marrëveshjes Shqipëri-BE në mekanizmin e Bashkimit Europian për mbrojtjen Civile.
Pas mbledhjes së qeverisë, Peleshi theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshje që përpos përfitimit është edhe një hap integrues i Shqipërisë në BE. Shërbimet digjitale shtetërore u goditën dy herë gjatë këtij viti. Sulmi më i madh ishte ai i 15 korrikut. E-Albania u rrëzua dhe u paralizuan për ditë me radhë 1200 shërbimet online për qytetarët. Pak ditë pasi qeveria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, shtetin që e akuzon si sponsorizues të sulmit kibernetik, u godit sistemi TIMS. Në daljen e tij pas mbledhjes se përjavshme të ekzekutivit, Peleshi garantoi për mbështetjen nga partnerët ndërkombëtarë. Mbështetje që po kanalizohet te fuqizimi i Agjencisë së Certifikimit Elektronik dhe Mbrojtjes Kibernetike si me burime njerëzore, ashtu dhe financime të shtuara.

