Dibran Hoxhaj, i njohur si Kobra, i cili u arrestua pasi akuzohet se ka vrarë të riun Visar Cengu në lokalin e tij, ka përjashtuar faktin që vëllai i tij, i cili është një prej të arrestuarve, të ketë lidhje me ngjarjen. Në rrëfimin e tij në Gjykatë, Kobra është shprehur se Enver Amrallahu, një prej të akuzuarve si bashkëpunëtor, nuk ka qenë në vendin e ngjarjes kur ka ndodhur krimi. Sipas Hoxhajt, Amrallahu, ka shkuar aty pasi të pranishmit i kanë thënë se i kishin vrarë të vëllanë.
“Pajtohem me fjalët e avokatit, veç deshta me shtu diçka në lidhje me Enver Amrallahun, ky është vëllau prej nanës. Ky ka ardhë masi ka ndodhë, masi ka ni prej tjerëve që ka ndodh diçka në lokal, i kan than se m’kan vra. ka ardhë masi me policinë mrapa krejt kur janë marrë deklaratat krejt, kanë ardhë e kanë nxanë aty si vlla”, tha i dyshuari Hoxhaj.
Dibran Hoxhaj, i njohur si ‘Kobra’ akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë”, ndërsa të ndaluarit e tjerë për “pjesëmarrje në rrahje”. Dibran Hoxhaj është përleshur me tre të rinjtë nga Kukësi, dy prej tyre të identifikuar si Visar Cengu dhe Rufgen Shehu. Sherri ka nisur pasi të rinjtë nuk kanë pranuar që të paguanin faturën prej 400 eurosh që kishin konsumuar në lokalin e Dibran Hoxhajt. Pas përleshjes fizike, Hoxhaj ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar ndaj klientëve. Si pasojë e të shtënave, Cengu ka mbetur i vrarë dhe shoku i tij është plagosur. Ai nuk është një emër i panjohur për drejtësinë pasi ka qenë i dënuar më parë për trafik droge dhe përleshje fizike.

