Më 7 janar 2015, revista satirike Charlie Hebdo ishte shënjestër e një sulmi terrorist nga një grup islamik, si pasojë e të cilit humbën jetën 12 punonjës. Ekstremistët shënjestruan gazetën pasi botoi karikaturat që konsideroheshin fyese për Profetin Muhamed.
Synimi këtë herë është regjimi konservator teokratik në Teheran, i cili ka nisur një goditje të përgjakshme ndaj protestuesve që kanë kërkuar lirinë dhe të drejtat e tyre prej muajsh. Këtë muaj, faqja e parë e Charlie Hebdo paraqet një skicë të një gruaje të zhveshur me këmbët e hapura dhe mullahët (Mullah është një titull nderi për klerikët myslimanë shiitë dhe sunitë ose një udhëheqës xhamie myslimane) që futen me radhë në vaginën e saj. Titulli është: Mullah, kthehuni nga keni ardhur.

Ky numër i kushtohet valës masive të protestës së qytetarëve iranianë kundër regjimit teokratik të Ajatollah Khameneit, pasi Charlie Hebdo një muaj më parë shpalli një konkurs ndërkombëtar për karikaturën më të mirë kundër regjimit iranian, duke mbledhur më shumë se 300 karikatura nga e gjithë bota, madje dhe nga Irani vetë.
Gazeta satirike franceze donte të shprehte në këtë mënyrë mbështetjen e saj për iranianët që kanë dalë në rrugë që nga shtatori për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj politikës së ashpër të Teheranit për vdekjen e 22-vjeçares Makhsa Amini. E reja u arrestua nga “policia e moralit” për shkelje të kodit të veshjes dhe ndërroi jetë në duart e autoriteteve pak ditë më vonë. Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, nga 16 shtatori e deri më sot, mbi 500 qytetarë kanë humbur jetën nga dhuna e autoriteteve iraniane, ndërsa qindra janë arrestuar.
Për të zgjedhur kopertinën më të mirë, udhëzimet ishin të thjeshta; karikatura që përshkruante liderin suprem të Iranit, Ali Khamenei, duhej të ishte sa më “qesharak dhe i poshtër”.
“Ne donim skica nga e gjithë bota, në mënyrë që të mos kapemi nga mendimet frankocentrike,”– thanë zyrtarët e revistës.
Gazeta satirike “Charlie Hebdo” ka qenë shënjestër e tre sulmeve terroriste: në vitin 2011, 2015 dhe 2020. Të gjitha këto dyshohet se ishin hakmarrje për karikaturat që ka publikuar herë pas here, duke paraqitur në mënyrë të diskutueshme profetin Muhamed.

