Një prokuror spanjoll, i cili ka rënë pre e grabitjeve nga një bandë shqiptare që vepronte në Minho, vuri në dukje “profesionalizmin” e të dyshuarve gjatë vjedhjes në shtëpinë e tij në Braga.
Ai shpjegoi se grabitësit ishin selektivë në atë që vidhnin dhe se për të hyrë brenda në shtëpi nuk kanë shkaktuar dëme të mëdha.
Prokurori dhe familjarët e tij kanë qenë larg shtëpisë, në zonën Monte do Bom Jesus, në momentin e vjedhjes së kryer më 15 dhjetor 2021.
Kur është kthyer në banesë, ka konstatuar se hajdutët kanë marrë gjërat më të vlefshme atje, duke shmangur dëmtimin e gjërave.
Në gjyq, prokurori tha se “grabitësit kanë qenë aq selektiv saqë nuk kanë marrë orët me vlerë më të vogël, duke vepruar në mënyrë efektive dhe efikase, gjë që ishte edhe më e lehtë sepse alarmin e kishim të fikur”.
Nga shtëpia e magjistratit janë vjedhur katër ora dhe flori, me vlerë gjithsej pesë mijë euro, përveç dy mijë eurove cash, “me teknika ndërhyrëse ku kanë arritur të hapin dyert dhe dritaret, por nuk i kanë dëmtuar”, duke arritur t’i shpëtojnë një patrulle policie.
Një tjetër dëshmitare tha se banda shqiptare i kishte grabitur shtëpinë po ashtu në Braga.
Ajo tregoi para gjykatësve se i kishin marrë rreth 100 mijë euro, të cilat i kishte fshehur në një kasafortë të vendosur në mur. Grabitësit kishin hequr kasafortën, e kishin e transportuan atë në pjesën e pasme të banesës, duke e hapur më vonë në një vend të fshehtë, diku në Vila Nova de Cerveira.
Grabitjet me vlerë gjysmë milioni euro
Banda shqiptare akuzohet se ka kryer vjedhje, me një vlerë prej më shumë se gjysmë milioni euro, nga tetori 2021 deri në shkurt 2022, duke lëvizur çdo ditë midis Minho dhe Galicia, ku banonin tre grabitësit.
Ndaj Edi Gjonaj (43 vjeç) dhe Artur Zisko (46 vjeç), të dy të arrestuar në paraburgim, rëndojnë 11 akuza për vjedhje të kryer në bashkëpunim dhe 30 akuza për falsifikim dokumentesh.
Dy të pandehurit kanë qëndruar në heshtje, që nga fillimi i gjykimit, ndërsa i dyshuari i tretë, Desard Marku (44 vjeç), është arratisur.

