Një grua nga periferia e Tiranës iu ka drejtuar Policisë prej vitesh për ta ndihmuar që të gjendet bashkëshorti i saj.
Denoncimin e ka bërë në Komisariatin nr.4 në Tiranë, ndërkohë që në fakt asokohe asnjë strukturë shtetërore nuk është marrë me të dhënat që ka lënë në Polici Valbona Elqeni (Deda). Për pasojë, bashkëshorti i saj, Arben Deda, 42 vjeç, rezulton i zhdukur sot e asaj dite, ndërkohë që policia nuk e ka deklaruar asnjëherë publikisht jo vetëm denoncimin e gruas dhe të familjes Deda nga Zall Bastari por madje as rastin e humbjes pa gjurmë të një qytetari shqiptar.
Pasi nuk është bërë e mundur asnjë përpjekje, gruaja ka vendosur t’i drejtohet Gjykatës që bashkëshorti i saj të shpallet i zhdukur dhe me sa duket vetëm pas 8 vitesh Gjykata e Tiranës e ka regjistruar kërkesën e qytetares. Ajo është nënë e një djali, të cilin e ka me bashkëshortin që ka humbur gjurmët prej 9 vitesh tashmë, pasi sipas të dhënave largimi i tij nga shtëpia ka ndodhur në vitin 2014, kohë kur ai ka pretenduar që është larguar në drejtim të Greqisë për të punuar. Prej asaj kohe e deri më tani, familja e tij, gruaja, fëmija dhe familja tjetër nuk asnjë informacion mbi vendndodhjen e tij e për pasojë Gjykata e Tiranës më datë 25 nëntor të vitit 2022 ka njoftuar shpalljen e zhdukur të shtetasit Arben Deda.
KËRKESA
Në kërkesën e bërë në Gjykatën e Tiranës mësohet se shtetasja Valbona Elqeni ka bërë me dije se “në certifikatën e lëshuar nga Zyra e Gjendjes Civile të njësisë Administrative, Zall Bastar të Tiranës, shtetasi Arben Deda rezulton i gjallë. Në të vërtetë, ai është larguar nga Shqipëria është larguar në vitin 2014 në drejtim të Greqisë pasi ai ka shkuar atje për të punuar. Që nga ajo periudhë e deri më tani as unë dhe as familjarët e tij nuk kanë asnjë kontakt me të. Familjarët e tij kanë shkuar në Greqi për të gjetur gjurmë të tijat por nuk kanë mundur ta kontaktojnë.
Për këtë fakt në vitin 20018 kam shkuar në Komisariatin nr. 4 të Policisë së Shtetit ku kam paraqitur kallëzim dhe ka treguar rrethanat e çështjes. Por asnjëherë që nga ajo periudhë e deri më sot nuk kemi pasur lajme për të. sipas certifikatës së lëshuar nga Gjendja Civile del se trashëgimtari i drejtpërdrejtë ligjor i radhës së bashkëshortit tim është djali ynë, B. Deda. Meqë për bashkëshortin tim nuk ka asnjë lajm dhe asnjë informacion prej kohësh, kërkoj shpalljen të zhdukur. Për sa më sipër i drejtohem gjykatës me këtë kërkesë duke pranuar objektin e saj”, thuhet në kërkesën e bërë nga bashkëshortja Valbona Elqeni.
ZHDUKJA DHE HESHTJA
Zhdukja e shtetasit Arben Deda prej më shumë se 8 vitesh është mësuar vetëm në momentin kur bashkëshortja e tij iu ka drejtuar Gjykatës së Tiranës me kërkesën që kjo e fundit duhet ta shpallë të zhdukur këtë person. Sipas të dhënave konfidenciale bëhet me dije se në fakt që prej momentit kur ai është larguar nga banesa me destinacion shtetin fqinj të Greqisë për të gjetur një punë e deri më sot nuk është mësuar asnjë informacion në lidhje me të.
Pas pak kohësh vëllai i tij dhe familjarë të tjerë janë nisur në drejtim të Greqisë duke tentuar të bëjnë të mundur gjetjen e tij por në fakt ai nuk është bërë më i ‘gjallë’ deri më tani. Policia jonë nuk e ka deklaruar ndonjëherë të zhdukur këtë person, ndërkohë që siç mësohet edhe nga kërkesa e Valbonës bëhet me dije se për gjendjen civile ai rezulton të jetë i gjallë. Por prej kohës kur Gjykata e Tiranës ka ndërmarrë vendimin e shpalljes i zhdukur, mbase do të kujtohet edhe policia dhe prokuroria të nisin hetimet në lidhje me fatin e shtetasit shqiptar Arben Deda i cili ende nuk dihet nëse ka mbërritur në Greqi apo i ka ndodhur ndonjë gjë rrugës për në vendin fqinj. Sipas informacioneve, Deda ka ikur malit, pasi nuk ka pasur dokumente për të kaluar në doganë.

