Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi është pyetur nga gazetarët nëse u ka dalë pronari shumës së parave prej 400 mijë eurosh që u gjetën në shtëpinë e pastrueses Rozeta Dobi.
Ai deklaroi se kjo e ka kaluar cakun e policisë dhe tashmë çështja është nën hetim nga prokuroria. Ministri adresoi gazetarët që të drejtohen atje për informacion por theksoi se në momentin kur është nën hetim, nuk mund të jepet informacion.
“E ka kaluar cakun e policisë dhe është brenda dyerve të prokurorisë, kështu që nëse doni një përgjigje në lidhje me këtë duhet të pyesni prokurorinë, por kur është në hetim rezervohet e drejta ligjore për të mos dhënë informacion. Në këtë moment policia bën vetëm çfarë i delegon prokurori”, tha ai.

