Hetimet në lidhje me vdekjen në qeli të Enver Sheshit, në ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e shtunë kanë nisur nga ana e policisë gjyqësore, por Komiteti Shqiptar Helsinkit, organizatë që mbikëqyr respektimin e të drejtave themelore të njeriut sipas konventës së ratifikuar nga Shqipëria, thotë se po zvarriten. Kryetarja e Komitetit, Erinda Skëndaj tha në një intervistë për Breaking në Top News se e kanë pasur të vështirë të mësojnë detaje në lidhje me vdekjen e Enver Sheshit, duke shtuar se përfaqësuesve të Komitetit u është bërë ping-pong nga institucionet.
“Nuk kemi arritur të marrim informacionin e plotë, që kemi ndeshur, jo vetëm për këtë rast por edhe për raste të ngjashme, kujtojmë rastin e Bilbil Hasanit në 2020. Na është komunikuar se s’mund të na jepet informacion për shkak se prokuroria është duke kryer një hetim. Ky informacion është kontradiktor me të dhënat e tjera, pasi kur kemi shkuar te prokuroria për të marrë informacion, aty kemi mësuar që prokuria nuk ka nisur as hetimet dhe s’ka as referim me kallëzim për rastin konkret. I jemi drejtuar policia a kanë nisur veprimet jemi në verifikim. Sa herë që ndodh një humbje jete nën mbikëqyrjen e autoriteteve shtetërore, është shteti që ka detyrimin dhe barrën për të provuar se trajtimi I personit ka qenë I mirë dhe nuk ka qenë shteti fajtor me veprimet, apo mosveprimet e tij, që ka çuar në humbjen e jetës së personit”, shtoi ajo.
Enver Shehi ndërroi jetë në QSUT. Ai ishte në burg për shkak të akuzave që lidhen me çështjen e inceneratorit të Fierit. 59 vjeçari ishte arrestuar më 16 nëntor për inceneratorin e Fierit së bashku me 10 persona të tjerë mes tyre edhe biznesmeni Arben Dervishaj. Sheshi ishte administrator i kompanisë ‘Leli-17’ sh.p.k. Ai akuzohej për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar”, në bashkëpunim.

