Në ambientet e gjykatës do të duhej të ballafaqohej këtë të hënë, 15 janar, dëshmitari i drejtësisë, Luftar Reçi dhe Emiljano Shullazi, së bashku me disa të pandehur të tjerë të cilët SPAK i ka çuar në gjyq me akuza për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame dhe Klodian Saliut. Seanca gjyqësore e ballafaqimit është shtyrë për një datë tjetër pasi Panorama mëson se këtë të hënë mungonte gjyqtarja Etleva Deda për shkak të gjendjes së saj jo të mirë shëndetësore.
Kujtojmë se ishte dëshmia e Luftar Reçit që detyroi Prokurorinë e Posaçme të hapte një prej dosjeve më të bujshme të krimit në vendin tonë në vitin 2005. Bëhet fjalë për ekzekutimin e ish-efektivit dhe biznesmenit të njohur Vajdin Lamaj.
Ai që u konsiderua si një prej ekzekutimeve më të sofistikuara të kohës, mbeti pa autor për vite e vite me radhë, ndërkohë që dëshmia e një të penduari solli në vëmendje edhe njëherë se organizatat e fuqishme kriminale që operonin në vendin tonë kishin jo vetëm lidhje mes tyre, por madje edhe informacion për vrasjet që kishin tronditur vendin.
Luftar Reçi, i cili ishte akuzuar dhe arrestuar për vrasjen e Aleks Lalës në Shkopet, pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë, duke vënë në përgjegjësi penale për dy vrasje miqtë e tij.
“Panorama” raporton se Reçi dëshmoi në tri seanca gjatë periudhës tetor-nëntor të vitit 2020 dhe ka treguar mbi bashkëpunimin e tij me Lulzim Berishën dhe grupin e tij për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe të shkëmbimit të shënjestrave me bandën e Durrësit për ekzekutimin e Klodian Saliut dhe të hasmit të vet.
Reçi, është dëshmitari kryesor i Prokurorisë që flet për vrasjen e Klodian Saliut në Durrës, Vajdin Lames dhe Artan Arsit, të ndodhur thuajse në një ditë në muajin shkurt 2005.
Avokatët e 6 të pandehurve kanë kërkuar herë pas herë që Luftar Reçi është me çrregullime ankthi dhe dëshmia të mos i merret parasysh.
Dëshmia që zbardhi vrasjen e Lamajt
“Ka qenë mesi i muajit shkurt i vitit 2005 kur Lulzim Berisha më ka marrë në telefon duke më pyetur nëse kisha më nga ato ‘nëntëshet’, që janë tritol. Bëhej fjalë për një atentat që do të përgatitej ndaj hasmit tim në Dibër. Unë nuk e bëra këtë atentat pasi pashë që ai kishte fëmijët me vete”.
Kështu e pati nisur dëshminë e tij Luftar Reçi, si hapi për lidhjen mes tij dhe bandës së Durrësit, që njihej si “pronë” e Lulzim Berishës.
Sipas tij, ai e gjeti minën dhe atë e mori Indrit Taullai dhe më pas dëgjoi se ishte vrarë Vajdin Lamaj.
Në lidhje me këtë, Reçi u shpreh se kishte telefonuar Lulzim Berishën, por ai i kishte thënë se për ngjarjen ka dijeni Indrit Taullai.
Ai tha se gjatë bisedave në tavolinë, Indrit Taullai ishte krenuar me vrasjen e Vajdin Lamajt, duke thënë se e kishin bërë copë-copë.
Por në rrëfimin e tij, Reçi ka treguar se montimin e ka bërë ai në një garazh në Durrës dhe më pas bomba i është dhënë Emiljano Shullazit, i cili në momentin që e ka marrë, ka qenë i shoqëruar me një vajzë.
Por Reçi ka mohuar të kishte dijeni se kush ishte shënjestra. Ai iu tha prokurorëve se ishte planifikuar të vihej në një makinë tip “Volkswagen”, por më pas kishte ndryshuar plani.
Po ashtu, ai ka treguar edhe se në burg, Viktor Ymeri iu ka thënë miqve të tij se personin për eliminimin e Lamajt e kishte gjetur ai dhe jo Shullazi, duke implikuar kështu një mori emrash në një prej vrasjeve më të bujshme në vend.

