Kryedemokrati Sali Berisha akuzon kryeministrin Edi Rama se po mban peng regjistrimin e Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për lokalet e 14 majit. Në fjalën e tij nga grupi parlamentar i PD-së, Berisha tha se edhe vendimi i Enkelejd Alibeajt për të përjashtuar katër deputetët e PD-së është bërë me urdhër të Ramës.
Sipas Berishës, kjo gjë ndodhi për të hequr vëmendjen nga vjedhja e shtëpisë së zyrtares Alda Klosi, ngjarje që ka lënë ‘jetimë’ më shumë se 400 mijë euro.
Gjithashtu, sipas kreut të PD-së, largimi i deputetëve që e mbështesin atë nga grupi, ka qëllimin që Berishës e deputetëve të tjerë që janë rreshtuar krah tij, tu kufizohet e folura në Parlament. Berisha shtoi se interesi i Ramës është që PD-ja të futet e përçarë në zgjedhje.
Ai përmendi dhe 22 milion eurot e harxhuara në fluturime me charter, për të cilat tha se Rama i ka penguar që të ngrenë një komision hetimor, por që do t’i shkojnë deri në fund hetimit.

