Qeveria shqiptare pranon vakancat e krijuara në personelin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Përmes një drafti të hedhur për konsultim publik, Ministria e Drejtësisë fajëson mungesën e zbatimit të ligjit dhe praktikën e rekrutimit të tyre.
Për këtë arsye, Drejtoria e Përgjitshme e Burgjeve përmes Ministrisë së Drejtësisë propozon që edhe për personelin, mënyra e rekrutimit të stafit duhet të bëhet si ajo e policëve të burgjeve.
‘’Referuar historikut të rekrutimeve nëpërmjet Departamentit të Administratës Publike, ka pasur vetëm 6 histori suksesi nga procedurat konkurruese, për plotësimin e vendeve vakante. Edhe pse një ligj relativisht i ri, nga zbatimi në praktikë kanë lindur disa problematika për sa i përket kapaciteteve njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe degët territoriale, të cilat janë të pamjaftueshme dhe koha e rekrutimit të tyre krijon vonesa në plotësimin e vakancave të krijuara për shkak të kohëzgjatjes së procedurave.
Në këto kushte është e nevojshme që të rikonceptohet sërish mënyra e rregullimit të marrëdhënieve të punës për rekrutimin e punonjësve të të gjitha niveleve, me përjashtim të punonjësve të Policisë së Burgjeve.
Në kushtet kur stafi policor ka një procedure konkurruese të cilën e zhvillon Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, e njëjta logjikë duhet të mbahet si orientim edhe në rastin e pozicioneve të punës për punonjësit e tjerë. Kjo kërkesë lipset nga nevoja për plotësimin e vendeve vakante’’
Projektdrafti propozon gjithashtu që i gjithë përsoneli ekzistues dhe ai që do pranohet me formën e re pas miratimit të këtij ligji do të trjatohet në bazë të kodit të punës.
‘’Projektligji i propozuar synon të rishikojë mënyrën e trajtimit të punonjësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, duke përcaktuar se marrëdhëniet e punës për të gjithë punonjësit e këtyre institucioneve do t’i nënshtrohen parashikimeve të Kodit të Punës. Lidhur me situatën e krijuar, synohet që ky ndryshim i mënyrës së organizimit të DPB të sjellë plotësimin e organikës duke u dhënë mundësi punonjësve aktualë të vijojnë marrëdhëniet e punës sipas Kodit të Punës, si dhe rekrutimin e punonjësve të rinj’’
Në dhjetorin e në Kuvendin e Shqipërisë miratoi ndryshime në ligjin për Policinë e Burgjeve, ku u hoqi kriteri i moshës për kandidatët për shkak të mungesës së interesit për të punuar në këtë sektor.

