Ish-agjenti kryesor i FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal është vënë në pranga bashkë me një ish-diplomat rus, Sergey Shestakov, 69 vjeç, pasi akuzohen për shkelje të sanksioneve amerikane ndaj Rusisë. Mediat shkruajnë se pas largimit nga FBI, McGonigal u përpoq të ndihmonte oligarkun Oleg Deripaska në mënyrë që ta linte jashtë listës së të sanksionuarve. Prokurorët në Gjykatën federale në Uashington kanë dalë në përfundimin se McGonigal ka pranuar dhe ka marrë 225 mijë dollarë cash gjatë kohës që punonte në FBI nga një person që kishte interesa biznesi në Evropë, i cili kishte qenë edhe punonjës në shërbimin e inteligjencës në Shqipëri.
“Zoti. McGonigal e tradhtoi betimin e tij solemn ndaj Shteteve të Bashkuara në këmbim të përfitimit personal dhe në kurriz të sigurisë sonë kombëtare,”- tha Ndihmës Drejtori i ngarkuar i FBI-së, Donald Alëay.
Shestakov është një ish-diplomat sovjetik dhe rus, i cili së fundmi ka punuar si përkthyes për gjykatën federale të Bruklinit dhe prokurorët atje. Ai ka nënshtetësi amerikane. Ai akuzohet gjithashtu se ka gënjyer FBI-në gjatë marrjes në pyetje, duke fshehur natyrën e marrëdhënies së tij dhe McGonigal. ‘Shërbimet’ e McGonigal ndaj rusit filluan një vit pasi ish-agjenti, i cili jeton në Nju York u tërhoq nga FBI në 2018, pas 22 vitesh shërbim.
McGonigal dhe Shestakov do të dalin para gjykatës në Manhatan. Akuzat ndaj tyre parashikojnë një dënim maksimal prej 20 vitesh burg nëse shpallen fajtorë.
McGonigal ishte vënë nën hetim që nga muaji shtator i vitit 2022. Kjo nuk është hera e parë që përmendet emri i McGonigal në lidhje me Shqipërinë. Një artikull i “BuisnessInsider”, shkruante se McGonigal përdori adresën e tij zyrtare të e-mailit të FBI-së për të tentuar të organizonte një takim mes kryeministrit Edi Rama dhe një firme amerikane. Kjo e fundit, ishte menduar për tu kontraktuar për një nismë kundër korrupsionit. Në fund, FBI nuk i dha miratimin McGonigal për takimin dhe ai nuk u zhvillua kurrë.
Ky artikull u përdor dhe nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili deklaronte se Rama është vënë nën hetim ndërkombëtar bashkë me këshilltarin e tij, Dorian Duçka. Në atë kohë, Rama iu përgjigj Berishës dhe pranoi se kishte miqësi me McGonigal, por shtoi se hetimet janë çështje e tij dhe për këtë do të flasë drejtësia amerikane.

