Operacioni i koduar “Fijet”, i organizuar për çmontimin dhe sekuestrimin e kamerave, zbuloi dhe të ‘fortët’ e Tiranës që ruhen nga kamerat e sigurisë. Fillimisht u raportua se Policia e Tiranës ka çmontuar 155 kamera sigurie në të gjithë qarkun e Tiranës, më pas u zbuluan detaje nga të inkriminuarit që monitoronin kryeqytetin.
Më konkretisht, 15 kamera janë çmontuar dhe sekuestruar jashtë banesave e Emiljano Shullazit dhe Pajtim Serjanit në zonën e ish-Parkut të Autobusëve. 6 kamera janë sekuestruar në banesën e Elidon Kotorrit në “Ali Dem” dhe ‘Vasil Shanto’. Shullazi ndodhet pas hekurave. Ai ka qënduar 2 vite në regjimin “41 biss” ose siç njihet ndryshe burgu ‘i egër’. Ai është dënuar me 55 vite burg në total nga Gjykata e Krimeve të Rënda për disa ngjarje kriminale. E po ashtu, po gjykohet edhe për disa të tjera, vrasjet e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut të ndodhura në vitin 2005, pas rrëfimit të të penduarit Luftar Reçi.
Pajtim Serjani njihet si mik i Shullazit. Atij i ka trokitur OFL në derë dhe i ka kërkuar të justifikojë pasurinë. Ai është një emër i njohur për policinë e Tiranës, pasi është arrestuar dhe dënuar për gjobëvënie me tre vite. Në vitin 2015 Serjanit i është bërë atentat të Rruga e Kavajës. Ndërsa Elidon Kotorri ka qenë i dënuar për vrasje.
Disa emra të tjerë kanë hequr kamerat në momentin që në media janë publikuar raportime mbi operacionin ‘Fijet’ dhe i kanë çmontuar vetë. Për pasojë, ku efektivët u kanë rrethuar banesat dhe kanë ushtruar kontroll, nuk kanë gjetur asnjë kamerë sigurie.
Në total deri më tani, që kur ka nisur operacioni në të gjithë vendin, janë çmontuar dhe sekuestruar mbi 350 kamera sigurie dhe janë nën hetim mbi 70 persona. Persina të inkriminuar, të dënuar apo të vënë nën hetim për vepra të ndryshme penale montonin kamera në pemë apo mure rreth zonës ku jetojnë për të pasur nën kontroll lëvizjet e Policisë së Shtetit dhe të rivalëve të tyre./Dosja.al

