Ylli i popit Gary Glitter është liruar nga burgu pasi kreu gjysmën e dënimit të tij 16-vjeçar. Glitter, 78 vjeç, emri i vërtetë i të cilit është Paul Gadd, u dënua në vitin 2015 për tentativë përdhunimi, katër akuza për sulm dhe abuzim seksual me një vajzë nën 13 vjeç. Ai ishte një nga yjet më të mëdhenj të muzikës së viteve 1970.
Një zëdhënës i ministrisë së drejtësisë deklaroi për mediat se Gadd do të monitorohet nga afër nga oficerët e provës, madje autoritetet kanë planifikuar ta vëzhgojnë atë me GPS, shkruan BBC.
Gadd kishte qenë në kulmin e famës së tij kur sulmoi dy vajza të moshës 12 dhe 13 vjeç pasi i ftoi në prapaskenë në dhomën e tij të zhveshjes. Viktima e tij më e re kishte qenë më pak se 10 vjeç kur u fut në shtratin e saj dhe u përpoq ta përdhunonte në vitin 1975. Gadd ishte mbajtur në HMP The Verne – një burg i kategorisë C të sigurisë së ulët në Portland, Dorset. Pasi mori një dënim me afat të caktuar, ai u lirua automatikisht në gjysmë të mandatit.
Gadd nuk do të shtohet në regjistrin e shkelësve seksualë për këto krime, sepse ato janë kryer përpara se të futej regjistri. Megjithatë, ai u urdhërua të nënshkruante regjistrin kur u kthye në MB pasi u shpall fajtor për abuzim seksual me dy vajza të reja në Vietnam në vitin 2006.

